Tiranë, 23 Tetor NOA - Kryetari i Komunës Shën Mëri në Kukës si dhe baxhanaku i të pandehurit Afrim Hasani kanë treguar sot në gjykatë, momente të vrasjes së dy efektivave të policisë së qarkullimit Rrugor.
Bajram Çoti, me detyrë kryetar Komune ka shpjeguar sot se në momentin e ngjarjes ka qenë në një lokal përballë.
"Ora shënonte 20:30 kur jam vënë në dijeni se ishin vrarë dy punonjësit e policisë Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila, nga Afrim Hasani. Një person që ndodhej aty, nuk e kujton se kush më tha që Afrimi kishte pasur përplasje me ta, pasi para disa ditës ai po udhëtonte me një shokun e tij, kur është ndaluar nga policët. Personi më tha që Afrimi, i ulur në vend të parë, ka kundërshtuar punonjësit e policisë, të cilët më pas e kishin denoncuar", tha sot Çoti.
Dëshmitari i dytë që është thirrur nga gjykata ishte Durim Meta, baxhanaku i Hasanit.
Në dëshminë e tij ai ka shpjeguar se është vënë në dijeni për ngjarjen nga vjehrri i tij, ndërsa nuk kishte qenë vetë prezent në vendin ku ndodhi ngjarja.
I pandehuri Afrim Hasani nuk ka qene prezent në seancën e sotme gjyqësore por mbrohej nga avokati i tij.
I pandehuri akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për ngjarjen e ndodhur më 23 mars të këtij viti në komunën Shën Mëri të Kukësit, ku u qëlluan me breshëri automatiku dy efektivat e qarkullimit rrugor Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila.Â
/r.d/f.sh/NOA/