"Gjilani tregon se çka do t'i ndodhë Kosovës, por, në anën tjetër, Mitrovica tregon se çka do t'i ndodh Gjilanit. Duke ia marrë Pasjakun e Stanishorin që janë paralagje të qytetit, nuk bëhet vetëm copëtimi i territorit të komunës së Gjilanit, por edhe rrudhja e vetë qytetit të Gjilanit"
Nga Albin Kurti*
Në komunën e Gjilanit, nuk ka as 10% serbë, por strukturat e Serbisë, në emër të popullsisë serbe, do ta marrin 1/3 e territorit të Gjilanit. Ngjashëm, përmes decentralizimit mbi baza etnike, edhe në tërë Kosovën që sërish nuk i ka as 10% serbë, strukturat e Serbisë do të kontrollojnë afër 1/3 e territorit. Gjilani tregon se çka do t'i ndodhë Kosovës, por, në anën tjetër, Mitrovica tregon se çka do t'i ndodh Gjilanit. Duke ia marrë Pasjakun e Stanishorin që janë paralagje të qytetit, nuk bëhet vetëm copëtimi i territorit të komunës së Gjilanit, por edhe rrudhja e vetë qytetit të Gjilanit.
Decentralizimi në Kosovë është projekt që ka filluar në veri të Kosovës: me premtimin e Michael Steiner-it dhënë serbëve të Mitrovicës në kuadër të Planit 7 Pikësh, për t'i joshur ata që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2002. Decentralizimi në Kosovë është projekt që ka filluar të zbatohet në Anamoravë: me zgjedhjet lokale të cilat legjitimojnë komunat e reja me shumicë serbe. Decentralizimi nuk i krijon vetëm komunat e reja të Parteshit, Kllokotit, Ranillugut, Graçanicës, veriut të Mitrovicës e Artanës së trefishuar, por i formon edhe shtatë komuna të tjera të reja: Mitrovicën pa veriun, Prishtinën pa Graçanicën, Lipjanin pa tetë fshatra që ia merr Graçanica, Artanën që tash pas zgjerimit do të sundohet nga strukturat e Serbisë, Dardanën e rrudhur, Gjilanin e copëtuar dhe Vitinë e çarë përgjysmë nga komuna e re e Kllokotit. Votimi ose kandidimi në këto zgjedhje lokale është legjitimim i decentralizimit. Këto zgjedhje lokale janë manipulim i madh me qytetarët prej të cilëve po kërkohet që të bëhen bashkëpjesëmarrës.
Kufijtë e Kosovës po bëhen kufij të jashtëm sepse po sajohen kufij të brendshëm. Kufijtë e komunave po forcohen e kufijtë e Kosovës po dobësohen. Kosova nuk ka nevojë për decentralizim e riorganizime territoriale sipas parimit etnik, por për sovranitet e integritet territorial.
Decentralizimi në Kosovë është krejtësisht i lidhur me Luginën e Preshevës. Përderisa në Kosovë duan ta zbatojnë decentralizimin, në Luginë të Preshevës po zhvillohet centralizimi. Serbia po e vendos Luginën e Preshevës nga rajoni i Pçinjit ku është tash, në rajonin e Nishit. Ky decentralizim e shkëput vazhdimësinë territoriale të Anamoravës me Luginën e Preshevës. Ky decentralizim synon kantonin serb në pjesën lindore të Kosovës, në llogari të shqiptarëve që i enklavizon.Â
Anamorava e decentralizuar nuk është Anamorava të cilës ia kushtuan tërë jetën e veprën e tyre Mulla Idriz Gjilani, Haki Sermaxhaj, Rexhep Elmazi, Ramiz Cernica, Xheladin Kurbalia, Hasan Remniki, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Reshat Ymeri, Agim Rashiti e deri te dëshmorët e luftës së fundit si Agim Ramadani, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Alban Ajeti, Pajazit Ahmeti, Naser Azemi, Hanumshahe Zymberi, Tefik Zymberi, Ibrahim Uruqi, Bashkim Selishta, Urim Mehmeti, Nijazi Azemi, Skifter Arifi, Rrahim Beqiri e qindra dëshmorë të tjerë, amaneti i të cilëve u braktis nga krerët institucionalë e partiakë. Â
Anamorava e decentralizuar nuk është Anamorava e vullnetit dhe interesit të qytetarëve, e të drejtës së tyre për liri, drejtësi e mirëqenie. Ne që jemi kundër këtij decentralizimi, nuk jemi kundër serbëve lokalë civilë, por kundër strukturave të Serbisë që e kanë qendrën në Beograd. Kundër këtij decentralizimi privatisht janë deklaruar edhe serbët e Stanishorit e Kufcës së Epërme por ata nuk guxojnë prej njerëzve të Beogradit të flasin hapur.       Â
Sikurse edhe të gjitha eksperimenetet e tjera që sunduesit e ndryshëm i kanë bërë në vendin tonë, edhe decentralizimi do të dështojë, madje edhe më shpejt sesa ç'mendohet. Mirëpo, ne po humbasim shumë ndërkohë, po na kushtojnë shumë këto eksperimentime.
Banorët e Pasjakut, Stanishorit, Mogillës e Suhodollit janë dëshmi se edhe në Kosovën me pavarësi të shpallur, nuk kryesojnë udhëheqësit por prijnë qytetarët; se në Kosovë politikanët nuk e udhëheqin popullin, por popullit duhet t'i shkojnë pas politikanët.
Kundërshtimi i decentralizimit është një kauzë përtej partive politike sepse është kauzë mbi partitë politike. Le të jetë kjo demonstratë një fillim i ri i kundërshtimit të decentralizimit, tash pas pavarësisë pa sovranitet, i cili mund ta fitojë pajtimin e burokratëve në Prishtinë, por jo edhe të qytetarëve në Anamoravë.
(*) Fjalimi i mbajtur në demonstratën e Gjilanit