English

Ngjela: Po të ikë Berisha, hyjmë në BE për 3 muaj

Shkodër, 23 Tetor NOA - Në mitingun e Shkodrës të Partisë Socialiste me moton "Të hapen kutitë - Ku është vota ime", ka folur edhe ish-deputeti i djathtë, Spartak Ngjela.

Ngjela kërkoi nga të pranishmit që të bashkohen me përpjekjet për të larguar qeverinë aktuale, duke lëshuar dhe premtimin absurd: Heqje vizash në një javë, hyrje në BE për tre muaj".

Ai e konsideroi qeverinë si të paligjshme dhe kërkoi që "ajo të largohet një orë e më parë nga politika e këtij vendi".

Ngjela vlerësoi se kërkesa për hapjen e kutive të votimit nuk është diçka e parëndësishme duke theksuar se prapambetja që po kalon vendi vjen pikërisht nga mungesa e votës së lirë, - informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Spartak Ngjela u ndal dhe në gjendjen e Shkodrës duke theksuar se "qyteti juaj është krejtësisht i papunë".

"Ky qytet nuk prodhon asgjë, as edhe gozhdë, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë papunësia ka arritur në 40 për qind, kurse këta delenxhinj të ardhur nga skutat duke deklaruar se ne jemi popull i lumtur dhe po hyjmë në Evropë".

Në vijim të fjalës së tij, Ngjela tha se "gota është mbushur plot me vuajtjet tona dhe tuajat dhe mungesën e lirisë", duke shtuar se argumenti i zgjedhjeve është një pikë që "e ka derdhur gotën e mbushur plot".

Ngjela nuk kurseu akuza ndaj qeverisë duke e akuzuar se ka shitur detin me para, duke aluduar për marrëveshjen detare me Greqinë.

Në përfundim Ngjela lëshoi dhe "bombën" tipike elektorale: "A e dini se çfarë sjell heqja e kësaj qeverie, sjell heqje vizash në shtatë ditë dhe hyrje në Bashkimin Evropian në tre muaj".

r.d/f.sh/NOA

KOMENTE