English

BB: TEC- i Vlorës, jashtë standardeve

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 24 tetor NOA - Sikundër ishte paralajmëruar nga Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, termocentrali i ndërtuar në këtë qytet është jashtë standardeve dhe përbën rrezik për ndotjen e zonës bregdetare.

Konstatimi vjen nga Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore në Uashington, një strukturë kjo e pavarur investiguese.

Por pavarësisht deklaratave zyrtare të qeverisë se TEC-i do të përmbushte çdo standard gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij, Banka Botërore që është financuese e projektit, konstaton se nuk janë respektuar kriteret bazë, siç janë ato mjedisore, kulturore apo qoftë edhe në përzgjedhjen e vendit.

Mbi të gjitha, rreziku qëndron në funksionimin e TEC-it në të ardhmen.

"Banka Botërore nuk ka respektuar disa dispozita të politikave të saj në lidhje me Vlerësimin e projektit, Vlerësimin mjedisor, Menaxhimin e pasurive kulturore dhe Vlerësimin ekonomik. Gjithashtu, Paneli konstatoi mangësi të ndjeshme në përmbushjen e kërkesave të politikave të Bankës për konsultimet"- shkruhet në raportin e panelit.

Megjithatë BB thekson se e gjendur përballë faktit të kryer, pasi TEC-i është ndërtuar, kërkon që vëmendja të fokusohet tek funksionim i tij.

Kryetari i Panelit të Inspektimit Verner Kien shprehet në raportin e tij se është e domosdoshme që të përcaktohet një plan i mirëdetajuar për derdhjet e mundshme të naftës në det.

"Është e nevojshme të sigurohet sa më parë blerja pa vonesë e pajisjes së domosdoshme si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit atje"- vijon më Â tej raporti.

Paneli kostaton gjithashtu se kanë munguar konsultimet e gjera të qeverisë për të marrë një vendim sa më të drejtë.

Në maj të 2007 paneli i inspektimit mori një kërkesë nga Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, se termocentrali që ishte vendosur të ndërtohej do të krijonte dëme të mëdha mjedisore.

Ky vendim hasi në kundërshtime të forta, por aktualisht TEC-i ka nisur nga puna për prodhimin e energjisë.

r.l/NOA

KOMENTE