English

Biznesi, 450 ankesa për tenderët publikë

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 24 Tetor NOA - Volumi i madh i investimeve publike gjatë këtij viti zgjedhor është shoqëruar edhe me një numër rekord të ankesave të biznesit, për tenderët e kryer nga Agjencia e Prokurimit.

Vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti, numri ankesave ka arritur në 450, ndërkohë që për 2008-n, kjo shifër ishte 360. Përfaqësues të Avokatit të Prokurimeve thonë se ritmi i lartë i ankesave ka nisur gjatë muajit mars, kohë e cila përkon edhe me nisjen investimeve elektorale.

Altin Qose, drejtor i Monitorimit dhe Ankesave, pranë Avokatit të Prokurimeve, thotë se numri i ankimimeve gjatë muajit janar-shkurt 2009 ka qenë i ulët, ndërkohë që fluksi ka nisur gjatë muajit mars e në vazhdim me një numër mesatar prej 60 ankesa në muaj.

Sipas Qoses, ky fakt lidhet edhe me volumin e lartë të investimeve që qeveria ka bërë gjatë këtij viti.

Por nga ana tjetër, aplikimi i procedurës së re të prokurimit elektronik i ka bërë bizneset edhe më konfuze, pasi ata nuk kanë qenë të informuar për këtë mënyrë.

Por një pjesë e shqetësimeve, sipas pretendimeve të biznesit vijnë edhe nga diskriminimi që agjencia bën në përcaktimin e kritereve.

"Ka ankesa të biznesit që thonë se me kriteret e përcaktuara nga Agjencia përpara zhvillimit të tenderit bëhen diskriminime të kompanive", - pohon Qosja.

Sipas biznesit kjo bëhet e qëllimshme për të favorizuar firma të caktuara.

Duke iu referuar të dhënave të Avokatit të Prokurimeve, gjatë vitit të kaluar gjysma e shqetësimeve të biznesit ishin të drejta, por vendimet e këtij institucioni nuk janë tituj ekzekutiv, çka do të thotë që ato mbeten të pazbatuara.

Në seancën e së enjtes parlamenti miratoi ngritjen e një strukture prej 5 anëtarësh e cila do të merret me ankesat e biznesit ndaj tenderave. Ky komision do të luajë rolin e një gjykate administrative.

Por pranë Avokatit të Prokurimeve një numër të posaçëm zënë edhe ankesat e konçesioneve.

Bizneset ankohen për procedura jo korrekte që zbatohen nga Ministria e Ekonomisë.

/r.l/f.sh/NOA/

KOMENTE