English

Ivo Banac: Pavarësia, e pakthyeshme

Zagreb, 24 tetor, NOA / Intervista - Historiani i njohur kroat Ivo Banac, profesor i Universitetit amerikan të Yale-it, është njohës i mirë i çështjeve ballkanike përfshirë këtu dhe atë të Kosovës. Në një intervistë për BBC-në zoti Banac thotë se pret që epilogu i debatit për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në favor të saj, ndërkohë që shton se për një paqe të qëndrueshme në Ballkan do të duhet edhe shumë kohë.

Profesor, në fillim të dhjetorit Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të nis shqyrtimin e çështjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Cili është parashikimi juaj, si do të rrjedhin punët?

- Unë pres që kjo gjykatë e lartë, thjesht do të konfirmojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Nuk mund ta paramendoj se mund të jetë ndryshe, pa marrë parasysh që Serbia dhe disa sponsorë të saj, gjithësesi presin një vendim krejtësisht tjetër. Por unë mendoj se kjo nuk mund të vijë në konsiderim, sepse do të përbënte një preçendent dhe njëlloj kthese në zinxhirin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Dhe, kur është fjala për statusin e Kosovës, vazhdojnë debatet rreth parimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje dhe parimit për mosndryshimin e kufinjve, karta këto në të cilat luajnë të dyja palët - ajo shqiptare në të parin parim, ndërsa serbët në të dytin!

- Kjo është e saktë, vetëmse varet nga ajo se si i përkufizojmë kufinjtë dhe për cilat territore është fjala. Ju e keni të njohur se Kosova, si dhe Vojvodina, sipas Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 është përkufizuar si element i federatës dhe kujtoj se kjo është shumë e rëndësishme. Kosova de facto kishte gati të njëjtin status si republikat federative. Por nuk është fjala për këtë, fjala është për faktin se Serbia u mundua me forcë të shkatërrojë autonominë e Kosovës dhe jo vetëm që ta zhbëjë autonominë e kësaj krahine, por faktikisht ta kolonizojë atë dhe të shpërngulë popullatën shqiptare. Ky gabim i udhëheqjes serbe që nuk u shoqërua me ndonjë kundërshtim të theksuar të opozitës në Serbi, tani po paguhet. Po paguhet me faktin se situata e tashme në Kosovë është e pakthyeshme. Me fjalë të tjera, nuk mund të kthehemi në gjendjen e status quosë para Millosheviqit që edhe nuk është e mundshme për shkak se ka ndodhur shumëçka që pengon çfarëdo përpjekje të këtij lloji. Do të shtoja edhe këtë, fakti se statusi i Kosovës në këtë moment, prapëseprapë është i kufizuar për nga sovraniteti që, druaj se ka mbështetjen edhe të faktorëve europianë, po ashtu shtron nevojën që shumica shqiptare në Kosovë të kërkojë ndryshimin e këtij statusi dhe që Kosova të jetë në plotëkuptimin e fjalës vërtet shtet i pavarur.

A mund të pasojë ajo që emërtohet si ndarje e Kosovës, duke pasur parasysh atë që po ndodhë në pjesën veriore të Kosovës, respektivisht në pjesën veriore të Mitrovicës?

- Unë e di se ky është një problem tepër i madh dhe natyrisht ekzistojnë faktorë të ndryshëm politikë që do të dëshironin që çështja e Kosovës të zgjidhet në këtë mënyrë. Ndoshta në rrethana të tjera kjo nuk do të ishte zgjidhja më e keqe, por një zgjidhje e tillë është e ndërlidhur edhe me çështjet e tjera të hapura në Ballkan, para së gjithash me çështjen e Bosnjë e Hercegovinës. Ne në Ballkan kemi diçka që mund të emërtohet si hapsirë e papërfunduar. Kam parasysh këtu Bosnjë e Hercegovinën, pjesë të Serbisë, Kosovën dhe fatkeqësisht edhe Maqedoninë. Përderisa këto çështje nuk zgjidhen në paketë, kam frikë se çfarëdo zgjidhje parciale nuk do të përfundonte mirë dhe do të mund të krijonte preçedenca tepër, tepër të këqija. Prandaj, mendoj se duhet pasur durim dhe gjithësesi duhet detyruar bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian të veprojnë me mençuri dhe të veprojnë në favor të interesave të vërteta të kësaj pjese të botës e jo të përtërijnë epërsi të ndryshme të imperializmit serb që u gjunjëzua në luftërat e viteve '90-të të shekullit të kaluar.

Profesor, këto ditë presidenti rus Medvedev deklaroi në Beograd se, po mundohem ta citoj, askush nuk guxon të pohojë se çështja e Kosovës është zgjidhur e që Serbia të mos ketë thënë fjalën e fundit…

- Po, e kam dëgjuar këtë dhe kjo flet se politika e Rusisë në këtë moment dallon dukshëm nga ajo politika që zhvillohej në kohën e Boris Jelcinit në vitet '90-të. Unë mendoj se kjo është për keqardhje. Kjo i jep shpresë Beogradit i cili në bazë të këtyre garancive, para së gjithash nga Rusia, mendon se mund të rikthejë një gjendje të humbur. Prandaj, mendoj se politika dhe diplomacia e Moskës në këtë moment po vepron negativisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjeve të tjera në Ballkan.

Përmendët zgjidhjen e çështjeve të hapura të Ballkanit në paketë. Sipas jush, si mund të arrihet kjo?

- Unë kujtoj se kjo do të ndodhë, ashtu sikurse ndodhë gjithmonë, sepse një është tendenca në komunitetin ndërkombëtar që asgjë të mos ndërmerret përderisa kupa të mos derdhet dhe kam frikës se kështu do të ndodhë edhe në rastin konkret. Sepse, fatkeqësisht diplomacitë nuk po i zgjidhin problemet para se ato të bëhen të papërballueshme. Pra, kam frikë se mund të ndodhin incidente, çështë e vërteta incidente të tilla tashmë ka - për shembull në Bosnjë e Hercegovinë, dhe këto incidente në instancë të fundit prapëseprapë do t'i detyrojnë faktorët ndërkombëtarë që të bëhen pak më seriozë dhe të reshtin së ndjekuri kohën që vërtet e humbën pa arsye gjatë dhjetë viteve të fundit.

Doni të thoni se do të kemi konflikte të reja?

- Unë këtë nuk mund ta përjashtoj. Unë e njohë situatën, situata është kritike. Është vështirë të paramendohet se situatat kaq kritike, që me të vërtetë të rikujtojnë gjendje para vitit l999, të mund të kalojnë pa incidente të reja.

Këto ditë në afërsi të Sarajevës u zhvilluan bisedime me udhëheqësve të atjeshëm dhe përfaqësuesve të lartë të SHBA-së e BE-së, negociata këto që u quajtën edhe si Dejton i ri. Mund të kenë këto bisedime ndonjë efekt pozitiv?

- Kam frikë se kjo do të ishte shumë ambicioze. Sa kam mundur të shoh dhe, natyrisht nuk mund të dimë gjithçka, nuk është bërë kurrfarë lëvizje esenciale përpara. Nga të gjithë faktorët e përfaqësuar të Bosnjë e Hercegovinës në takimin në Butmir, vetëm partia SDA që tani më nuk është aq dominuese në mesin e boshnjakëve si para nja dhjetë vjetësh, vetëm ajo është për paketën e ofruar e që sjellë shumë pak ndryshime në statusin e tanishëm të Bosnjë e Hercegovinës dhe që në kuptmin esencial synon integrimin më të mirë të shtetit. Së këndejmi, kam frikë se edhe me këtë rast parnerët perendimorë kanë humbur në kohë dhe, sidomos është keq sepse po shoh se përkundër shpresave, administrata e presidentit amerikan Barak Obama nuk mori udhëheqjen për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por këtë vazhdon t'ia ofrojë Bashkimit Europian, me njerëz si Karl Bild të cilët për shumëçka kanë kontribuar në problemin e tashëm të Bosnjë e Hercegovinës, ndaj mendoj se ata kurrsesi edhe nuk mund ta zgjidhin.

A jeni dakord me vlerësimet se integrimi europian i Ballkanit Perendimor, i Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi, mund të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon?

- Unë mendoj se njëra prej zgjidhjeve është përmes integrimit europian, përmes hyrjes së të gjitha këtyre vendeve në aleancën e NATO-s, por mendoj se kjo nuk mjafton. Veç kësaj mendoj se nuk është mirë që edhe Serbia, madje me procedurë të shpejtuar të futet në Bashkimin Europian. Sipas të gjitha gjasëve, Karl Bild ka vendosur të shpërfillë kërkesën që i akuzuari për krime lufte, Ratko Mlladiq, t'i dorëzohet Gjykatës së Hagës para se Serbia të mund të bëhet vend kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo nuk është mirë. Kjo dëshmon se sërish, njësoj si në fillim të viteve të nëntëdhjeta, ka përpjekje që të kënaqet Serbia dhe udhëheqja e saj e tanishme e cila vetëm me fjalë duket proeuropiane. Të kënaqet në dëm të të tjerëve. Kjo vetëm flet se tendencat negative në Serbi do të shumëfishohen dhe kjo më në fund do të pengojë edhe europianizimin e shoqërisë serbe që është kusht për çdo zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.

A do të thotë kjo se kemi për të pritur edhe gjatë kohë për atë që quhet pajtim ndërnacional në Ballkan?

- Pajtimi mund të vendoset vetëm atëherë kur janë korrigjuar gabimet e së kaluarës, kur ato janë kompensuar, janë njohur. Kjo nuk mund të arrihet nëse njërën palë në njëfarë mënyre e përkëdhelni, kurse palët tjera i ndëshkoni, pa marrë parasysh se u ndëshkuan me lëvizjen e Millosheviqit në fillim të viteve '90-të. Mendoj se kjo është shumë e thjeshtë dhe, nuk e kuptoj, por ky është njëfarë mallkimi i komunitetit ndërkombëtar pse nuk njihet ky ekuacion shumë i thjeshtë. Në fakt, fjala është për raportin e forcave dhe atë që anglezët e thonë me aq saktësi - vetëm vullnet të ketë!

BBC

KOMENTE