English

Një hap i drejtë i Berishës...

"Ndërsa kombi maqedon formohet shumë kohë pas lindjes së saj, nëse vërtet ekziston kombi maqedon) ky hap i Berishës duhet duartrokitur, ngase e madhja Nënë Tereza meriton të prehet në dheun e kombit të saj"

Nga Ilir Sefaj

Siç dihet këto ditë kryeministri shqiptar, Sali Berisha shqyrtoi mundësinë e riatdhesimit të eshtrave të Nënës Terezë, eshtrat e së cilës prehen në oborrin Misionaret e Bamirësisë në kompleksin në qendër të Kalkutës.

Kjo kërkesë përkon me faktin se vitin e ardhshëm bëhen plot 100 vite kur në globin tonë ngjau mrekullia, u lind nëna e ngrohtësie, e ndihmës, e ndërgjegjes e krenarisë (sidomos për shqiptarët) e bamirësisë, nëna e shpresës, pra pikërisht më 26 gusht 2010 bëhen plot 100 vjet kur lindi Nëna Terezë. Kjo kërkesë e Berishës ngjalli reagime jo vetëm në Indi, nënshtetësinë e së cilës e kishte Nëna Terezë që nga viti 1951, por në mbarë opinion ndërkombëtar. Meqenëse kombësinë e Nënës Terezë janë munduar ta përvetësojnë kombe të ndryshme ndër ta edhe ai sllavo-maqedonas (sa ironike Nëna Terezë maqedone! Ndërsa kombi maqedon formohet shumë kohë pas lindjes së saj, nëse vërtet ekziston kombi maqedon) ky hap i Berishës duhet duartrokitur, ngase e madhja Nënë Tereza meriton të prehet në dheun e kombit të saj. Dilemave rreth nacionalitet të saj do ia vë kapakun vet Nëna Terezë kur ndër të tjera thoshte: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshe katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Ky paragraf flet qartë për një grua madhore e cila në asnjë mënyrë nuk e fshihte identitetin e saj, përkundrazi krenohej me të.

Sigurisht, ekzistojnë mijëra fakte të cilat glorifikojnë riatdhesimin e eshtrave të Nënës Terezë, dhe se kjo ndërmarrje duhet konsideruar vetëm çështje kohe kur me një solemnitet të madh të bëhet rivarrimi i kësaj shenjtoreje aty ku e ka vendin, në zemrën e Shqipërisë, dhe natyrshëm ajo hapësirë ku do të prehen eshtrat e bijës së këtij kombi do të bëhej vend pelegrinazhi; pastaj edhe një arsye tjetër e madhe për të vizituar Shqipërinë.

India nënshtetësinë e së cilës e kishte Nëna Terezë me siguri do e konsideroj sakrificë largimin e mbetjeve të kësaj shenjtoreje nga vendi ku i dha famën, njëkohësisht nga vendi ku vinte shpresa, ku ndjehej fryma e humanitetit për mbarë njerëzimin nga Kalkuta, mirëpo përkundër kësaj kërkesa e shtetit shqiptar është tejet e arsyeshme, ngase njeriu edhe si i vdekur prehet me qetë në vendin ku i dha frymën e parë.

Siç dihet në prononcimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë indiane dhe akademikëve të këtij shteti, quhet e pandershme kjo kërkesë e Qeverisë shqiptare për bartjen e eshtrave të Nënës Terezë në Shqipëri. Sunil Gangopadhyay, president i Akademisë së Sahitya thotë se: "Për sa kohë që ata ishin komunistë, nuk e pranuan Nënën Terezë. E tani ata vijnë me këtë kërkesë. Ajo letër duhet të hidhet në shportat e mbeturinave", mirëpo kjo që thotë presidenti i kësaj akademie nuk qëndron për faktin se Nëna Terezë nuk kishte të bënte asgjë me komunizmin në asnjë fushë të veprimtarisë së saj, tjetër është nëse Shqipëria komuniste e pranoi apo jo këtë misionare. Kjo që thotë kjo akademi duhet parë si diçka shume banale dhe kjo shkarje në asnjë mënyrë nuk e zbeh kërkesën e drejt të shtetit shqiptar.

Si do që të jetë, përkundër vështirësive që do të hasë shteti shqiptar për bërjen realitet të riatdhesimit të eshtrave të Nënës Terezë, nuk duhet hequr dorë nga kjo kërkesë, ngase kjo kërkesë është tejet e arsyeshme dhe si e tillë do të perceptohet me kohë edhe në opinion indian, por edhe atë ndërkombëtar.

NOA: Dërguar nga autori

KOMENTE