English

PD: Gabimet në zgjedhje, mbledhim Kuvendin

Tiranë, 24 tetor NOA - Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e sotme vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar Zgjedhor më 12 Dhjetor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, për të analizuar gabimet në zgjedhje, ku PD nuk arriti të krijojë qeveri të vetën.

Kryesia vlerësoi se ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve.

Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD, doli para pak çastesh në një komunikim me mediat, ku sqaroi se "këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 Qershorit".

Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e Nënkryetarit të PD-së z.Astrit Patozi si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm z.Ridvan Bode.

"Kryesia e Partisë Demokratike ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike, - përfundoi Mëhilli.

Në zgjedhjet e 28 Qershorit, PD nuk arriti të fitojë zgjedhjet çka e pengoi të krijonte qeveri të vetën edhe pse kryesonte mbi PS, ndaj u detyrua të bëjë koalicion me LSI duke i hapur rrugën qeverisë "Berisha 2".

/e.r/f.sh/NOA/ - Lexoni më shumë mbi argumentin: Berisha: Imuniteti, do t'ia heqim çdo deputeti

KOMENTE