Tiranë, 24 Tetor NOA - Partia Socialiste ngriti sot shqetësimin mbi përhapjen masive të korrupsionit në vend duke theksuar se kjo situatë, është pasqyruar me të njëjtën forcë edhe në Raport Progresin e Komisionit Evropian publikuar vetëm pak ditë më parë.
Sajmir Tahiri, deputet i PS, doli sot para mediave për të denoncuar se korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet një problem veçanërisht serioz.
Tahiri evidentoi më tej se Raport progresi i Komisionit Evropian në tre vitet e fundit e konsideron korrupsionin një fenomen gjerësisht të përhapur dhe një problem veçanërisht serioz.
"Ndërkohë që shenja e vetme që ka lënë Sali Berisha në luftën e tij të shtirur ndaj këtij fenomeni, është numri i tij i celularit", - ishte konstatimi i Tahirit.
Në këtë pikë, ai vlerësoi se ka ardhur koha që Sali Berisha t'i bindet ligjit njëlloj si të gjithë shqiptarët e ndershëm.
"Të dorëzojë menjëherë para drejtësisë 2 ministrat e tij që fshihen pas imunitetit parlamentar, dhe të marrë masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin duke e filluar nga vetja, familja e tij dhe shërbëtorët e oborrit. Kjo është mënyra e vetme për t'i treguar shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë vullnetin për të luftuar korrupsionin", - deklaroi Tahiri në emër të Partisë Socialiste.
Tahiri konsideroi se përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin kanë mbetur në fazën e hartimit të strategjive.
Sipas Tahirit, mungojnë mekanizmat e aplikimit të tyre, plani kohor si dhe indikatorët e matjes së rezultateve konkrete.
"Shkalla e dënueshmërisë për korrupsion mbetet e ulët, e për më tepër kultura e pandëshkueshmërisë është mbizotëruese. Përfundimi i çështjeve gjyqësore për korrupsion, pavarësisht pozicionit të personave të përfshirë, do të shërbejë si indikator", - ishin shkaqet e cituara nga Tahiri për nivelin e lartë të korrupsionit.
Ky paragraf i përmbledhur i Raport Progresit për çështjen e korrupsionit është praktikisht nota ngelëse që kjo qeveri përtace dhe hajdute ka marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë për dështimin e saj të plotë në luftën kundër korrupsionit.
Këtu, Tahiri vlerësoi se Sali Berisha është i paaftë për të luftuar korrupsionin dhe shtoi: "Sali Berisha nuk ka vullnet për të luftuar korrupsionin. Madje më keq se kaq, Sali Berisha duhet të dorëzojë 2 ministra para drejtësisë për të dëshmuar vullnetin e tij në luftën kundër korrupsionit".
f.sh/NOA