Tiranë, 24 tetor NOA - Partia Socialiste e Shqipërisë është shumë e shqetësuar për situatën e vështirë në të cilën është zhytur ekonomia e vendit.
Konstatimin e evidentoi sot në një dalje për mediat në mesditë, deputeti i PS, Ilir Beqja.
Ai citoi se javë pas jave raportohet se shumë sipërmarrje mbyllin aktivitetin apo shumë të tjera e pezullojnë përkohësisht pranë administratës tatimore.
Beqja tha se bilanci tregtar vazhdon të përkeqësohet, ndërsa Ministri i Bujqësisë raportonte para pak ditësh se më shumë se 2/3 e fermave shqiptare nuk arrijnë të dalin në treg.
Kurse citoi edhe se Shoqata e Ndërtuesve raporton për bllokim të sektorit të ndërtimit dhe se buxheti i shtetit nuk është në gjendje të paguajë situacionet e punëve publike që Sali Berisha i filloi nën ethet elektorale.
"Me sa duket edhe rritja e turizmit siç pretendohet nga qeveria nuk solli as më shumë punësim, as më shumë qarkullim të mallrave e shërbimeve, as më shumë fitim për biznesin e vogël dhe sipërmarrjet, as më shumë të hyra në buxhetin e shtetit", - vlerësoi Beqja.
Sipas deputetit socialist, kjo gjendje e rënduar e ekonomisë pasqyrohet edhe në realizimin e të hyrave fiskale të 9 mujorit të vitit 2009.
"Tashmë u bë e zakonshme që administrata tatimore dhe doganore nuk janë të afta mbledhin të ardhurat e programuara", - tha Beqja.
Duke folur si ekspert ekonomi,e po ashtu Beqja evidentoi se deficiti i krijuar nga mosmbledhja e të hyrave në buxhetin e shtetit për 9 muaj është 227 milionë dollarë duke u përkeqësuar me 40 milionë dollarë vetëm në muajin shtator.
Edhe në fund të 9 mujorit, - tha Beqja, - realizimi i planit të tatim fitimit është vetëm 84 %, dëshmi kjo e qartë për vështirësitë që kalojnë sipërmarrjet shqiptare.
"Edhe në fund të 9 mujorit realizimi i planit të tatim mbi biznesin e vogël është vetëm 67 %, dëshmi kjo e qartë se biznesi i vogël është i asfiksuar", - foli Beqja me gjuhën e shifrave.
Sipas tij, realizimi i planit të kontributeve të detyrueshme vetëm me 92 % dëshmon përsëri qartë se nuk kemi rritje të punësimit siç është premtuar nga qeveria, por mbyllja e sipërmarrjeve apo bllokimi i ndërtimit po krijojnë papunësi të re.
Deputeti i PS konstatoi edhe se në 9 muajt e parë të 2009 është mbledhur si tatim mbi vlerën e shtuar vetëm 4.1 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008.
"Në kushtet që 70 % e TVSH-së mblidhet në dogana dhe në kushtet e zhvlerësimit të monedhës vendase me të paktën 6 % krahasuar me një vit më parë, rezulton se ekonomia shqiptare nuk është rritur në 9 muajt e parë të vitit 2009", - u shpreh Beqja.
Sipas tij, i vetmi zë në buxhetin e shtetit që është rritur ndjeshëm është deficiti buxhetor. "Deficiti buxhetor është 515 milionë dollarë dhe është 4 herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Nën ethet elektorale të 28 qershorit Sali Berisha jo vetëm që inauguroi kantiere pa patur para, por në shërbim të krimit elektoral vuri të gjithë administratën shtetërore. Prandaj shpenzimet operative të mirëmbajtjes janë 27 % më të larta se një vit më parë", - ishin akuzat e reja të shprehura nga Beqja.
Sipas tij, kjo situatë e vështirë ekonomike dhe fiskale po bëhet e papërballueshme për buxhetet e familjeve shqiptare të cilat duhet të përgatiten të përballen edhe me rritjen e pritshme të çmimit të energjisë elektrike.
"Për fat të keq shqiptarët kanë mbi krye një mazhorancë që nuk ë kanë e votuar. Partia Socialiste është e vendosur ta kundërshtojë këtë mazhorancë me çdo mjet demokratik", - konkludoi Beqja.
f.sh/NOA