Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 24 Tetor NOA - Postet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë janë këmbyer mes Uldedës dhe Jakës, ky i fundit akuzuar dhe burgosur për afera korruptive në një operacion të bujshëm policor.
Gjok Uldedaj, biznesmeni që drejtoi për katër vjet Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dha sot dorëheqjen nga ky post.
Veprimi i tij erdhi pasi në zgjedhjet e 28 qershorit ai u zgjodh deputet.
Asambleja e Jashtëzakonshme e Dhomës së Tregtisë emëroi në këtë detyrë me 55 vota pro, ish- zëvendësministrin e transporteve Nikolin Jaka.
Jaka ishte një ndër zyrtarët e lartë që u akuzua për korrupsion në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm të rrugëve.
Ai vuajti disa kohë në qeli pasi u arrestua më 18 Shtator 2007, përgjatë operacionit, "Duart e Pastra", të forcave të antikrimit ekonomiko-financiar, me akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Jaka ka qenë më parë në Dhomën e Tregtisë në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.
r.l/e.r/NOA