Tiranë, 24 tetor NOA - Një grabitje e ndodhur në Rrugën e Dibrës ku u plaçkit një dyqan celularësh, është zbardhur pas më shumë se katër vjetësh.
Burime zyrtare nga Seksioni kundër vjedhjeve me dhunë/armë dhe shkatërrimit të pronës në policinë e Tiranës, i thanë sot agjencisë NOA se kanë arritur të zbardhin ngjarjen e ndodhur më 18 qershor 2005 në Rrugën e Dibrës ku është vjedhur me armë dyqani i celularëve, në pronësi të shtetases Yllka C., banuese në Tiranë.
Nga hetimet e kryera, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Romario Sulejmani, 21 vjeçar, banues në lagjen 48, në rrugën "5 Maj", në Tiranë.
Burimet nga Prokuroria thanë se Sulejmani rezulton se është autor i ngjarjes së ndodhur mbi katër vjet më parë kur ai ka qenë vetëm 17 vjeç.
Tani, i riu përballet me akuzën për veprën penale të "vjedhjes me armë", parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
f.sh/NOA