English

Bushati: Qeveria e paaftë për të punësuar shqiptarët

Tiranë, 25 tetor NOA - Nënsekretari i Programit të Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka bërë me faj kryeministrin Berisha për papunësinë në vend.

"Papunësia mbetet plaga kryesore e ekonomisë tonë dhe problemi madhor për çdo familje shqiptare.

Është faji i Sali Berishës që politikat ekonomike të punësimit në Shqipëri kanë dështuar pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

Është faji i Sali Berishës që politikat e punësimit nuk kanë arritur të ndryshojnë për asnjë çast perspektivën e errët për vende të reja pune, që çdo familje të ketë mundësi të siguroje jetesën e saj të ndershme me punë" tha Bushati.

Sipas tij, qeveria Berisha e ka tepër të lehtë të propagandojë mbi punësim të plotë në treg, por tepër të vështirë të paraqesë një politikë të saktë punësimi para të papunëve në vend. "Qeveria Berisha nuk ka aftësi për të hapur vende pune, sepse nuk ka një strategji të qartë për punësimin.

Shkaktare kryesore të kësaj situate janë paaftësia qeverisëse dhe informaliteti mbytës në ekonominë shqiptare, që bashkë sjellin një shkallë mjaft të ulët punësimi.

Është faji i Berishës që problemet serioze me pronën, korrupsionin dhe infrastrukturën asfiksojnë ekonominë shqiptare dhe mundësinë reale për të krijuar vende të reja pune.

PS denoncon premtimet boshe të qeverisë për qindra mijëra vende të reja pune, kur papunësia kërcënon çdo familje shqiptare që kërkon të ketë mundësinë e një vendi dinjitoz pune për të siguruar jetesën" përfundoi Bushati.

k.k/NOA

KOMENTE