Shkup, 25 Tetor NOA - Demokracia e Re kritikoi sot shpërfilljen nga Presidenti i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), të kërkesës për të pasur jo më pak se dy anëtarë në Këshillin për Siguri Kombëtare.
Para disa ditëve, Demokracia e Re, në frymën e konstruktivitetit të saj politik, apeloi deri te presidenti i shtetit Gjorgji Ivanov, që ai të korrigjojë shkeljen që i bëri Kushtetutës së vendit, me vendimin për të emëruar vetëm një shqiptar në Këshillin për Siguri Kombëtare.
Duke u nisur shpërfillja e kërkesës, Arjanit Hoxha, zëdhënës i DR, doli sot në mesditë para medieve për të lajmëruar se "pasiqë thirrja dhe kërkesa jonë si duket hasën në vesh të shurdhër, nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se para se të marrim hapin e radhës dhe të ngremë procedurë në Gjyqin Kushtetues t'i bëjmë thirrje partisë në pushtet BDI-së, si parti e cila hapur përkrahu kandidaturën e presidentit Ivanov gjatë zgjedhjeve presidenciale, që të reflektojë në këtë situatë".
Hoxha kërkoi po ashtu në emër të Dr, që "BDI t'i bashkëngjitet me apelin e Demokracisë së Re dhe të kërkojë nga presidenti Ivanov që të ndryshojë vendimin e tij dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të emërojë edhe një shqiptar, me ç'rast do të korrigjojë shkeljen e Kushtetutës së vendit".
"Ne publikisht i apelojmë BDI-së, - vijoi Hoxha, - që ashtu si e kemi përkrahur në momentet të vështira politike, edhe ata tani të na përkrahin në këtë nismë, pasi që këtu nuk bëhet fjalë për interesa të politikës ditore po bëhet fjalë për respektimin e drejtë të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje e cila është interes kolektiv i të gjithë shqiptarëve por edhe i shtetit si tërësi.
Hoxha theksoi faktin se presidenti Ivanov, me vendimin e tij për të emëruar vetëm një shqiptar në Këshillin për Siguri Kombëtare, e ka shkelur amendamentin e 13 (neni 86) të Kushtetutës së vendit i cili thotë qartë se përbërja e këshillit si tërësi duhet të pasqyrojë përbërjen e popullatës së vendit.
"Pra nga 9 anëtarët të cilët numëron ky këshill për momentin ka vetëm një shqiptar ndërsa sipas parimit kushtetues duhet që së paku 2 shqiptarë të jenë anëtarë të këtij këshilli", ka sqaruar Hoxha.
/z.r/e.r/NOA/