Ankara, 25 tetor NOA-Pasi ka njohur pavarësinë e Kosovës, qeveria turke ka kërkuar mirëkuptimin e Serbisë dhe vazhdimin e bashkëpunimit me këtë shtet dhe në të ardhmen.
Ka qenë presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl i cili ka deklaruar se vendimi i Ankarasë për njohje të pavarësisë së Kosovës nuk duhet të jetë pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit strategjik mes Turqisë dhe Serbisë.
"Njohja e pavarësisë së Kosovës, me popullin e të cilit Turqia prej lashtësisë ka lidhje të fuqishme e të veçanta, dhe pavarësia e të cilit ishte rezultat i angazhimit të gjatë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk është e drejtuar kundër Serbisë", ka deklaruar Gyl në shtyp.
Presidenti turk do të qëndrojë nesër në Beograd për një vizitë dyditëshe, gjatë të cilës do të takohet me krerët më të lartë serb.
m.i/NOA