English

Aktivistët e Vetëvendosje u liruan, procesi po vazhdon

Prishtinë, 26 Tetor NOA - Pas 5 vite e gjysmë paraburgim sa iu dhanë aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s së bashku lidhur me aksionin e 25 gushtit kur u përmbysën automjetet e EULEX-it, ata më në fund u liruan, por procesi kundër tyre ende po vazhdon.

Lëvizja Vetëvendosje tha sot se "pa dyshim që qëllimi kryesor i EULEX-it dhe gjithë ajo trysni mbi drejtësinë e Kosovës, të cilën misioni evropian e kontrollon, erdhën vetëm e vetëm për t'i mbajtur aktivistët plotësisht të izoluar".

Aksioni i 25 gushtit ka qenë publik dhe i mbështetur politikisht, pas nënshkrimit të Protokollit EULEX-Serbi.

Gjithçka është ditur dhe asnjëri prej aktivistëve nuk e ka mohuar pjesëmarrjen në aksion, por përkundrazi - të gjithë e kanë mbrojtur atë politikisht dhe me vendosmëri.

Nga ana e gjykatës zgjatja e paraburgimit për tre muaj arsyetohej me nevojat procedurale dhe hetimore, kurse përgjatë gjithë kohës sa qëndruan në paraburgim, aktivistët asnjëherë nuk u morën në pyetje.

Ky fakt sipas Lëvizjes, rikonfirmon qëllimin për izolimin e tyre dhe aspak për ta hetuar rastin.

Në seancën e dytë gjyqësore, u mor vendimi për ndërprerjen e paraburgimit për aktivistët e VETËVENDOSJE!-s.

Deri sot as aktivistët e akuzuar e as avokatët mbrojtës të tyre të caktuar nga gjykata nuk e kanë marrë në dorë aktakuzën.

Në vendimin e lëshuar nga Burgu i Dubravës për ndërprerjen e paraburgimit arsyetohet kjo ndërprerje me pushimin së ekzistuari të rrethanave për paraburgim "pas konfirmimit të aktakuzës".

Por të akuzuarit nuk e dinë se për çka janë akuzuar, duke mos e parë se çka është konfirmuar.

Për më tepër, aktivistët akuzoheshin për dëmtim të pronës së luajtshme, krahas akuzës për pjesëmarrje në grup që kryen vepër penale dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Duke iu referuar të njëjtit vendim që u është dhënë aktivistëve dje para se të dalin nga burgu, akuza për dëmtim të pronës është hedhur poshtë.

Pra ka mbetur vetëm pjesëmarrja në grup dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Duke komentuar këtë fakt, Vetëvendosje thotë se në këtë mënyrë gjykata qëllimisht po e lë të hapur rastin, ashtu që të mund të ketë alibi të mjaftueshme për ndjekjen penale të Vetëvendosje!-s për çfarëdo veprimi të ardhshëm.

"Nëpërmjet këtij procesi ata po na dënojnë edhe për aksionet tona që nuk i kemi bërë ende", - vlerëson Lëvizja.

Në këtë pikë, duke theksuar se aktivistët u mbajtën 55 vjet ose 1980 ditë paraburgim, u liruan, kurse procesi po vazhdon.

"Kjo tregon se kemi të bëjmë me një sistem politik arbitrar e antidemokratik, nën regjimin e të cilit individi zhvishet nga çfarëdo e drejte dhe mundësie e ushtrimit dhe mbrojtjes së të drejtave elementare qytetare, të cilat duhet t'i garantojë drejtësia dhe shteti, që nuk ekzistojnë në Kosovë", - thekson Vetëvendosja.

/a.b/e.r/NOA/

KOMENTE