Tiranë, 26 tetor NOA - Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e shëndetësisë në rrethe dhe qendër për të komunikuar dhënien e setin e materialeve për sistemin e referimit të pacientit.
Vasili vuri theksin tek zbatimi rigoroz i këtij sistemi.
Ai theksoi se çdo qytetar dhe pacient shqiptar duhet të dijë fare mirë se ku duhet të shkojë dhe se çfarë detyrimesh ka ndaj sistemit shëndetësor.
"Kemi një kategori në nivel kombëtar që është objekt i pagimit të sigurimeve shëndetësore dhe kemi disa kategori të mëdha të mbrojtura me ligj nga shteti shqiptar siç janë fëmijët, pensionistët, veteranët, invalidë, shtresa të tjera të njohura me ligj.
Të gjithë këtyre njerëzve në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë shteti dhe ligji u ka njohur të drejtën e kurimit të tyre në spitalet tona pa pagesë për arsye të veçorive që ata kanë.
Të gjithë të tjerët që kanë detyrime të paguajnë sistemin shëndetësor do të paguajnë në mënyrë krejtësisht formale të rregullt dhe pranë institucioneve shëndetësore, për të qenë të qartë me të gjithë opinionin publik", sqaroi ministri.
Ai shtoi se ne mënyrë kategorike të gjithë personat që do të lëvizin dhe kanë detyrim të kenë dokumentacionin përkatës me mospasjen e tij do të paguajnë tarifat publike zyrtare që ndodhen të afishuara në çdo institucion.
Qëndrimi dhe denoncimi do të jetë i dyanshëm edhe për mjekët por qoftë dhe për qytetarët që japin ryshfet ndërsa çdo ankesë e qytetarëve për kërkim ryshfeti do të korrespondojë më masën përkatëse administrative ndaj secilit që prish rregullin.
Gjate takimit Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u ndal dhe tek zbatimi i ligjit antiduhan.
Ministri është shprehur i prere ndaj çdo shkeljeje dhe ka theksuar se do të ketë edhe largime nga puna për të gjithë ata drejtues institucionesh veçanërisht shëndetësore të cilët lejojnë pirjen e duhanit ne ambientet e institucione që drejtojnë.
"Inspektorët tanë po punojnë në terren në mënyrë që dhe subjektet private ta zbatojnë këtë ligj.
Zbatim pa asnjë kompromis te ligjit antiduhan", deklaroi Ministri i Shëndetësisë.
Sistemi i paralajmërimit, gjobitjes deri në mbyllje të aktiviteteve do të jetë për biznesin privat ndërsa përsa i takon institucioneve publike do të kërkohet largim i drejtuesve.
k.k/NOA