English

Dy shqiptarë grabisin biznesmenin grek dhe e plagosin

Athinë, 26 Tetor NOA - Dy shqiptarë kanë grabitur me dhunë një biznesmen grek duke e plagosur, kurse pas zhdukjes, janë shpallur persona në kërkim nga policia helene.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës, 03:00, në zonën e Nikeas në Greqi, informon korrespondenti i agjencisë NOA, kur biznesmeni 49-vjeçar grek, një tregtar shumice i njohur në zonë, po dilte nga shtëpia për t'iu drejtuar skelës së peshkimit në Keratsini.

Në këtë moment, atij i kishin zënë pritë dy meshkuj të armatosur, të cilët i drejtuan një pistoletë në fytyrë duke e paralajmëruar se duhet të bënte "procedurën".

Njëri prej agresorëve iu sul duke i marrë portofolin në xhep por duke qenë se 49-vjeçari u përpoq të bënte rezistencë, hasi me goditjen nga pas nga autori tjetër i cili e qëlloi me një pistoletë njëzetedyshe që e plagosi në krahun e djathtë.

Në përpjekje e sipër për të marrë portofolin, agresorët kanë qëlluar disa herë me pistoletë dhe më pas janë larguar në drejtim të rrugës "Akropoli", kurse i dëmtuari ka rënë në tokë i përgjakur nga goditjet.

Në çast ai ka kërkuar ndihmën e policisë e cila mbërriti pa vonesë, kurse banorë të zonës i dhanë ndihmën e parë dhe e dërguan në spitalin "Xhanio" të Pierut, ku mori mjekim dhe tani gjendet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët thanë se qitja ishte bërë me një pistoletë 22 mm.

I dëmtuari ka deklaruar se në portofol kishte 120 euro që iu rrëmbyer nga grabitësit, kurse pohoi se në trup kishte edhe 15 mijë euro që do të çonte në punë për të bërë blerje malli.

Tregtari grek i shumicës ka pohuar se ai, sikurse dhe biznesmenë të tjerë vendas, njihen në zonë se qarkullojnë shpesh me shuma parash për tregti ndaj dhe janë në "vëmendje" të grabitësve.

Por ai e kishte parandaluar vjedhjen masive të parave duke mos i mbajtur ato në portofol.

Hetuesit e policisë së Athinës, deklaruan se identifikuan dy autorët të cilët janë dy emigrantë shqiptarë tashmë në kërkim, ndaj dhe nuk publikoi emrat e tyre.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE