Tiranë, 26 Tetor NOA - Policia Europiane (Europol) konsideron se vendi ynë është i zhytur në krim dhe kritikon shtetin që po bën sipas tij, luftë të dobët për ta neutralizuar.
Këto konstatime u bënë të ditura në raportin e vitit 2009 që u publikua sot nga Europol, ku një vend i veçantë i kushtohet Shqipërisë.
Sipas raportit, Shqipëria vazhdon të jetë një vend me aktivitet të lartë kriminal. Raporti e evidenton Shqipërinë si një nga vendet kryesore të tranzitit të drogës si heroinë dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Kurse thekson se ka nisur rikthimi i trafikut të qenieve njerëzore. "Grupet kriminale shqiptare trafikojnë një numër shumë të lartë femrash me qëllim ushtrimin e prostitucionit në vendet e Bashkimit Europian dhe veçanërisht në drejtim të Italisë", - vihet në dukje në raport.
"Shqipëria është bërë një nga bazat kryesore për trafikun e marihuanës, armëve, duhanit dhe emigrantëve ilegalë", - vlerëson Raporti.
"Në pjesën më të madhe bandat shqiptare janë të përbërë nga kontigjent vendas dhe nuk kontrollohen nga kriminelët e huaj, thuhet gjithashtu në raport.
Po ashtu, Europol thekson se "bandat shqiptare kanë lidhje të forta me vendet e Ballkanit, por edhe të atyre ish-sovjetike si Rusisë, Ukrainës e më tej edhe të Kinës dhe Kolumbisë.
Raporti e konsideron Shqipërinë së bashku me Kosovën, FYROM-in dhe Malin e Zi, si qendra të përpunimit dhe trafikimit të drogave të forta në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ky është një ndër raportet më kritike të viteve të fundit që ka nxjerrë Europol për Shqipërinë, duke konkluduar në fund edhe se "lufta kundër krimit të organizuar mbetet e dobët".
f.sh/NOA