English

Ndërtuesit apel: Miratoni planin rregullues

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 26 tetor NOA - Në prag të miratimit të Planit Rregullues së Tiranës në Këshillin Bashkiak, shoqata e ndërtuesve apelon për kalimin e tij pa hezitim nga forcat politike. Shqetësimi kryesor është se ndërtimi i banesave në Tiranë ka arritur në nivelin e 25 %, një shifër kjo mjaft e ulët.

Rënie kanë pësuar edhe shitjet e apartamenteve.

Kjo situatë bllokuese ka ardhur nga mungesa e planit.

Drejtori i shoqatës, Maksim Muçi shprehet se plani rregullues i Tiranës ka një rëndësi të veçantë pasi në kryeqytet është tregu më i madh i ndërtimit.

Sipas tij kriza ekonomike ka pasur efektet e saj, por nuk janë të pakta edhe efektet që jep mungesa e këtij plani.

Sipas ndërtuesve nëse plani urbanistik i Tiranës do të miratohet, çmimet e apartamenteve do të bien ndërkohë që do të përcaktohen rregulla të qarta loje për këtë treg, duke shmangur ndërtimet me studime pjesore.

"Një nga efektet që do të jepte ekzistenca e tij është eliminimi i ndërtimit të shtesave pa leje, që prej 20 vitesh nuk po mundemi ta stabilizojmë" shprehet Muçi.

Prej kohësh plani urbanistik i Tiranës është kthyer në një objekt debati politik mes dy partive PD e PS.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë vullneti për ta miratuar atë në Këshill Bashkiak e më pas në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

r.l/NOA

KOMENTE