English

Përplasja te ARMO, PS: Do të zbardhim çdo detaj të skandalit të djeshëm

Tiranë, 26 tetor NOA - Bllokimi i kompanisë ARMO nga ministria e Financave dhe përplasja mes policisë dhe tatimorëve për këtë vendim ka sjellë sot reagimin e deputetit të PS-së, Erion Braçe.

"Shteti nën administrimin e Sali Berishës na dha dje provën më të dukshme të kapjes së tij nga interesat e paligjshme, korruptive por përfituese të familjes në pushtet.

Shteti na konfirmoi dje me forcë se, çdo segment i tij, çdo agjenci ligj zbatuese është e kapur dhe vihet në lëvizje vetëm nga interesat e familjes në pushtet.

Përplasja dje e dy agjencive ligj zbatuese në dyert e një biznesi privat tregon nivelin më të lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga interesat e familjes" tha Braçe sot në një deklaratë për shtyp.

Sipas deputetit socialist, ngjarja e djeshme ka përmasat e një skandali shtetëror si produkt i përplasjes së egër të klaneve brenda familjes për dominim, administrim, përfitim nga çdo e mirë publike në çdo segment të tregut.

"Nisur nga e drejta kushtetuese për transparencë, ne kërkojmë me forcë sot sqarime publike në emër të qytetarëve;

Nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, interesat e kujt përfaqëson ai në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese kur urdhëron policinë e shtetit të pengojë zyrtarët e një tjetër agjencie ligj zbatuese të bëjnë detyrën.

Interesat e kujt përfaqëson Policia e Shtetit, në ushtrim të detyrës së saj kushtetuese kur çliron një biznes privat nga kufijtë ligjor të vendosur në emër të ligjit për të kufizuar një veprimtari në vijimësi të pa ligjshme.

Interesat e paligjshme të kujt çliroi dje policia e shtetit kur largoi forcërisht policinë tatimore duke mos e lejuar të bëjë detyrën e saj institucionale në mes të një aktiviteti të pa ligjshëm" tha më tej Braçe.

Ndërkohë socialisti kërkoi edhe nga ministri i Financave Ridvan Bode se interesat e kujt përfaqëson kur për një vit të tërë lejon që një biznes privat të shkel ligjin e të refuzojë në mënyrë të përsëritur rikthimin në ligjshmëri të aktivitetit të tij.

"Interesat e kujt përfaqëson Ministri i Financave kur për një vit të tërë lejon që një biznes privat të zaptojë tregun, duke dhunuar çdo ligj e rregull tregu, për të realizuar përfitime të paligjshme.

Interesat e kujt përfaqëson Ministri i Financave kur për një vit të tërë lejon që në arkën e shtetit të mungojnë miliona dollarë të ardhura të cilat kthehen, për shkak të këtij veprimi, në përfitime të paligjshme gjithnjë e më të mëdha dhe para të munguara për qytetarët shqiptare" shtoi Braçe.

k.k/NOA

Â

KOMENTE