Tiranë, 26 tetor NOA - Me rastin e ditës së policëve të rënë në krye të detyrës, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi ka mbajtur një fjalim ku ka përkujtuar aktin sublim të 241 punonjësve të policisë së rënë në krye të detyrës.
"Heronjtë tanë do mbeten simbol guximi dhe vendosmërie. Akti i tyre gjithmonë do të kujtohet si një shembull i virtytit dhe moralit më të lartë të shërbimit ndaj Atdheut dhe gjithë shoqërisë" tha sot Prençi gjatë fjalës së tij të mbajtur në përkujtimoren e policëve dëshmorë.
"Ju humbët njeriun tuaj të shtrenjtë, por ju duhet të ndjeheni krenarë për këta trima që u bënë heronj falë shpirtit të vetëmohimit në mbrojtje të jetës e dinjitetit njerëzor. Shoqëria dhe Shteti do u jenë mirënjohës e do t'i kujtojë me përulje e respekt në jetë të jetëve" iu drejtua familjarëve të policëve të vrarë, kreu i uniformave blu.
k.k/NOA Më poshtë do të lexoni fjalën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi:
I nderuar z. Ministër i Brendshëm, Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, Të nderuar familjarë të kolegëve tanë të shtrenjtë, Zonja e Zotërinj, kolegë të nderuar, Jemi mbledhur sot në këtë ditë të shënuar për Policinë e Shtetit, për të përkujtuar aktin sublim të 241 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët dhanë gjënë më të çmuar, jetën, në mbrojtje të vlerave më të larta që qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike. 26 tetori do të hyjë tashmë në historinë e Policisë Shqiptare si një datë e shenjtë. Heronjtë tanë do mbeten simbol guximi dhe vendosmërie. Akti i tyre gjithmonë do të kujtohet si një shembull i virtytit dhe moralit më të lartë të shërbimit ndaj Atdheut dhe gjithë shoqërisë. Të nderuar pjesëmarrës, më lejoni t'ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të Dëshmorëve të Policisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Zonja e zotërinj! Policia gjithmonë është në luftë me botën e errët të krimit dhe çdo punonjës policie pas betimit në ditën e parë të punës, është i vetëdijshëm për rrezikun që sjell një luftë e tillë, ashtu sikundër çdonjëri prej nesh e di dhe misionin e tij, luftë pa kompromis me krimin dhe kriminelët për të garantuar një mjedis të sigurt për komunitetin. Akti vetëmohues i tyre shpreh më së miri mundin dhe përpjekjet me të cilat përballet Policia e Shtetit gjatë përmbushjes së misionit të saj sa të vyer aq dhe të vështirë në mbrojtje të vlerave më të larta të shoqërisë njerëzore. Heroizmi i tyre, është dëshmi e vullnetit të palëkundur të Policisë së Shtetit për të luftuar me zero tolerancë krimin në çdo formë që shfaqet, për të bërë jetën e qytetarëve më të sigurt. Vendosmëria jonë për t?i dhënë kriminelëve dhe krimit përgjigjen e merituar, mbetet e pacenuar, sikundër deri më sot. Vlerësimi i shprehur nga qytetarët, shteti dhe gjithë shoqëria, na bën të ndihemi më të motivuar se kurrë në këtë luftë pa kompromis e që do të vazhdojë gjatë. Të dashur familjarë të të rënëve të policisë, Ju humbët njeriun tuaj të shtrenjtë, por ju duhet të ndjeheni krenarë për këta trima që u bënë heronj falë shpirtit të vetëmohimit në mbrojtje të jetës e dinjitetit njerëzor. Shoqëria dhe Shteti do u jenë mirënjohës e do t?i kujtojë me përulje e respekt në jetë të jetëve. Kolegët dhe miqtë tanë të shtrenjtë do të mbeten përjetësisht në altarin e kombit, si motiv e frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Gjaku dhe jeta e tyre janë themeli i të sotmes dhe i së nesërmes të Shqipërisë Evropiane.
Â