Prishtinë, 26 tetor NOA-Unioni Evropian i Transmetuesve ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi se po përdor Radio Radio Televizionin e Kosovës në shërbim të pushtetit të tij.
"Presioni nga qeveria juaj e ka transformuar RTK-në, nga një furnizues i balancuar i lajmeve, në një krah medial të partisë në pushtet dhe tuajin si kryeministër", ka deklaruar Jean Reveillon, kryetar i Unionit, në një letër dërguar kryeministrit Thaçi.
Më poshtë në letër theksohet se zërat kundër qeverisë janë shtypur për të mos u lejuar të dëgjohen.
"Ajo që tani po shohim është presioni nga qeveria e Kosovës, që RTK-ja të shndërrohet në një transmetues shtetëror jokritik", shkruan në letrën e tij, kryesuesi i Unionit Evropian të Transmetuesve, raporton agjencia DPA nga Gjeneva.
Reveillon ka kërkuar që kryeministri Thaçi të ndërmarrë "masa urgjente" për rikthimin e autonomisë në RTK.