Tiranë, 26 tetor NOA - Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar zyrtarisht, pse u bë bllokimi i depove të nënprodukteve të naftës të kompanisë "Armo", duke theksuar se është një vendim ligjor.
Pronat e Rezart Taçit, i njohur si ndër biznesmenët e fuqishëm në Shqipëri që ka bërë blerje "të çmendura", të ekipeve të fuqishme të futbollit italian dhe projektuar blerje deri edhe të Milanit, janë bllokuar pa afat në bazë të një urdhri bllokimi të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj.
"Tatimpaguesi "ARMO" sh.a nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues akcizë si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ky Ligj", thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Më pas deklarata vijon duke treguar se "ARMO", pronë e Rezart Taçit, gjithashtu nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm.
"Kërkesat e herë pas hershme të administratës tatimore për plotësimin e këtyre detyrimeve ligjore nga ana e këtij tatimpaguesi nuk janë marrë parasysh që prej Dhjetorit 2008", shpjegon Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kjo drejtori thekson se "ARMO" prej shumë kohësh vazhdon të mos plotësojë dokumentacionin e duhur ligjor, duke çuar në bllokimin sot të depove të nënprodukteve të naftës ashtu siç ndodhi dhe në Maj të vitit 2009.
Rezart Taçi njihet si pronar i ekipit të Bolonjës në Itali, kandidat për blerjen e ekipit të Milanit të kryeministrit italian Silvio Berluskoni, etj.
Gjithashtu Taçi kontrollon pjesën më të madhe të karburantit duke qenë pronar i ARMO si dhe i shumë pikave të shitjes së karburantit Taçi Oil në të gjithë vendin.
Gjithashtu Taçi është pronar edhe i universitetit Nobël si dhe një shkolle tjetër private me të njëjtin emër.
Muajt e fundit, bizneset e Taçit, ishin në fokus të një fushate në media ku hidheshin dyshime të forta për abuzime dhe lidhje të ngushta me qeverinë.
Taçi, njihet si një mbështetës i projekteve humanitare të fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë që drejtohet nga Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit të vendit.
e.r/m.i/NOA/