Tiranë, 26 tetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha është takuar sot me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku u ka bërë bëri një pasqyrë të të gjitha masave që ka marrë qeveria, për të plotësuar standardet që kërkohen në ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave.
"Në këtë mbledhje kam zgjedhur t'ju informoj ju dhe zgjedhësit tuaj, si dhe mbarë shqiptarët, për ecurinë e një procesi ndër më jetikët dhe më të shumëpriturit e qytetarëve të vendit tonë, atë të liberalizimit të vizave.
Siç e dini, ne kemi premtuar gjatë fushatës elektorale se brenda vitit të parë të këtij mandati do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe reformat, që të merret vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët" iu drejtua deputetëve Berisha.
"Qeveria ka marrë masa dhe ka përshpejtuar të gjithë procesin e modernizimit të kontrollit të kufijve. Aktualisht janë marrë masa për të siguruar akses të drejtpërdrejtë të stacioneve të policisë dhe pikave të kalimit kufitar në bazën e të thënave të Interpolit për pasaportat e humbura dhe të vjedhura.
Strukturat vendore dhe qendrore për hetimin e krimeve dhe pikat e kalimit kufitar kanë akses të drejtpërdrejtë në sistemin ASP të Interpolit.
Për pasaportat e humbura, por edhe për makinat, ligji për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve shtetërorë po zbatohet dhe po implementohet në çdo hallkë të tij" tha më tej Berisha.
Sipas tij, këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për kategorizimin, standardet dhe kriteret e kontrollit në pikat e kalimit të kufirit.
Berisha kërkoi një luftë me efiçente kundër korrupsionit.
"Kjo mazhorancë po ecën e sigurt me trajtimin e saj më serioz të kërkesave për liberalizimin e vizave për shqiptarët, në mbajtjen e premtimit të saj për një vendimmarrje brenda vitit të parë të këtij mandati.
Është edhe një herë rasti që të ftoj opozitën, të marrë rolin dhe misionin e saj në këtë proces historik, sepse vërtetë realizmi i aktit të heqjes së vizave për shqiptarët dhe lëvizja e tyre në mbarë Evropën e Bashkuar pa viza, është një arritje historike, jo vetëm kombëtare, por dhe individuale për çdo qytetar shqiptar.
Është një shans i ri i madh për të gjetur konsensusin e bashkëpunimit për projekte kaq madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Do ta mbyll duke ju siguruar ju, se qeveria do të marrë të gjitha masat" deklaroi më tej kryeministri.
k.k/NOA