Rrëshen, 26 Tetor NOA - Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Rrëshenit, vetëm pak metra larg rajonit policor, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal kafene, në pjesën përbri Komisariatit të Rrethit Mirditë, bëjnë të ditur burimet policore për NOA.
Viktima është Edison Jaka, 21 vjeçar, lindur e banues në qytetin e Rrëshenit.
Policia tha se ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes por ai u largua menjëherë pas krimit, ndaj po bëhen përpjekje për kapjen tij, përfshirë ngritjen e postblloqeve përreth qytetit.
Nga hetimet e para të kryera në vendin e ngjarjes, mësohet se i riu Edison Jaka, është qëlluar me armë zjarri, një automatik tip "Kallashnikov", ndërsa ndodhej rreth orës 22.50 të mbrëmjes së Hënë, në lokalin ku punonte si kamerier.
Policia ende nuk ka qartësuar rrethanat në të cilat ndodhi vrasja dhe shkaqet që çuan vrasësin të kryejë këtë krim.
e.r/f.sh/NOA