English

Xhelozia, shqiptari vret të dashurën rumune në Greqi

Trikala, 26 Tetor NOA - Një grua 34-vjeçare rumune, ka mbetur e vrarë në Greqi, sot orët e para të mëngjesit pasi u ekzekutua nga i dashuri i saj, një emigrant nga Shqipëria, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Ngjarja, që sipas policisë ishte krim pasioni, ndodhi në qytetin e Trikalas dhe autori i dyshuar i saj është vetëdorëzuar pasi ka lajmëruar vetë policinë për ngjarjen e ndodhur.

Gruaja 34 vjeçare punonte kameriere në një bar në Trikala. Prej disa kohësh ajo kishte një lidhje intime me 38-vjeçarin shqiptar që ishte i divorcuar.

Por lidhja e tyre kohët e fundit kishte pasur acarime të shumta. Natën duke gdhirë dita e sotme (e hënë), në 04.00, 38-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk u dha nga policia, ka pritur të dashurën të mbaronte turnin dhe kanë dalë së bashku për të shkuar në shtëpinë ku bashkëjetonin, në fshatin Dhiavas të lokalitetit Kalambakas në Trikala.

Konflikti erdhi pasi 38-vjeçari e qortoi fort të dashurën e tij, për mënyrën sesi u soll me një klient të lokalit night club ku ishte në punë.

"Në udhëtim e sipër, në rrugën Sarakinas, pak para se të arrinin në shtëpi, mes të resë rumune dhe 38-vjeçarit shqiptar nis një sherr për motive xhelozie për shkak të flirtimit të të dashurës së tij me një klient grek në lokal", - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare policore.

Në kushte gjaknxehtësie, emigranti shqiptar ka nxjerrë një pistoletë që kishte në makinë me të cilën e ka qëlluar dashnoren e tij në fyt, duke e plagosur për vdekje, brenda automjetit ku po udhëtonin për në shtëpi.

Në pak minuta, 34-vjeçarja ka ndërruar jetë, kurse bashkëjetuesi i saj ka telefonuar  policinë dhe ka pritur në vendngjarje për t'u dorëzuar.

Ai është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe nesër do t'i kalojë gjykatës për vlerësim mase sigurie, nën akuzën paraprake të vrasjes pa paramendim në kushte të tronditjes psikologjike për shkak të xhelozisë për të dashurën.

/n.s/e.r/NOA/

KOMENTE