Hagë, 27 tetor, NOA - Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do të zhvillojë sot seancën e radhës në kuadrin e gjykimit të ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.
Pas shtyrjes së seancës së djeshme sepse ai refuzoi të marrë pjesë në gjykim me pretekstin se nuk i ishte dhënë mjaft kohë për ta përgatitur mbrojtjen, trupi gjykues do të mblidhet sërish sot për ta vazhduar aty ku e pati lënë gjykimin e tij.
Konkretisht, Karaxhiç përballet me 11 akuza përfshirë gjenocid dhe orkestrimin e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995 ku u vranë tetë mijë burra dhe djem myslimanë, ndërsa ai e ka refuzuar të deklarojë fajësinë apo pafajësinë e tij.
Ai gjithashtu pretendon se ka bërë një marrëveshje për imunitet me diplomatin amerikan Riçard Holbruk, i cili ndihmoi në përfundimin e luftës në Ballkan, ndërsa Hollbruk mohon të ketë bërë ndonjë marrëveshje me të.
Ndërkaq, prokurorët kanë shprehur zhgënjim që një tjetër i dyshuar kryesor në masakrën e Srebrenicës, ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiç vazhdon të jetë në arrati, dhe ka shumë mundësi të jetë brenda në Serbi.
n.e/NOA