English

Pronat në bregdet, Balla: Ligji në favor të qeveritarëve

Tiranë, 27 tetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar sot se qeveria i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë projekt-ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin", për interesat e saj familjare.

Balla i ka lënë një afat qeverisë deri ditën e nesërme që të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë që përfitojnë nga ky ligj sipas tij i posaçëm për të privatizuar përfundimisht bregdetin Shqiptar.

"Partia Socialiste i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, kush janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj.

Ne kemi dyshimet tona që ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të tij dhe të ministrave të oborrit.

Në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë kush janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji" deklaroi sot Balla.

Sipas tij, Berisha duhet të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se pse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka ti shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to.

k.k/NOA

KOMENTE