English

Tërmeti reagon ministria e Brendshme: Asnjë familje në qiell të hapur

Tiranë, 27 tetor NOA - Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka nxjerrë sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka hedhur poshtë deklaratën e deputetit të Partisë Socialiste Qemal Minxhozi lidhur me trajtimin nga qeveria të dëmeve të tërmetit në Dibër, duke e quajtur atë një deklaratë të papërgjegjshme.

"Deklarata e sotme e bërë në selinë e Partisë Socialiste dëshmon së pari mungesën e informacionit dhe së dyti keqpërdorimin e një fatkeqësie natyrore për interesa të mirëfillta politike.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Brendshme sqaron nëpërmjet jush opinionin publik, lidhur me masat e marra nga strukturat shtetërore për menaxhimin dhe trajtimin e situatës së krijuar nga tërmeti në Dibër" thuhej në deklaratën lëshuar sot nga ministria e Brendshme.

"Për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë në Qarkun Dibër, më 6 Shtator, 2009, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, nr. 593, datë 9.9.2009, u ngritën grupet e vlerësimit me përbërje: specialistë të drejtorisë së përgjithshme të emergjencave civile, specialistë inxhinierë ndërtimi të Entit Kombëtar të Banesave dhe të Inspektoratit të Ndërtimit, specialistë të këshillit të qarkut dhe Prefekturës Dibër, si dhe përfaqësues të komunave të prekura nga ky tërmet.

Inspektimi dhe vlerësimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti u krye nga data 9.9.2009 deri më datë 30.9.2009.

Grupet e vlerësimit inspektuan shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti në komunat: Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Fushë Bulqizë, Maqellarë, Muhurr, Ostren dhe Trebisht.

Grupet e vlerësimit të dëmeve hartuan formularët e dëmeve për 1437 shtëpi, si dhe u inspektuan dhe 1100 shtëpi të tjera me dëme të papërfillshme.

Gjithsej u inspektuan rreth 2500 shtëpi. Vlerësimi i dëmeve është bërë në masën 100%, mbështetur në ligjin për emergjencat civile dhe në Udhëzimin e Këshillit të Ministrave për Entin Kombëtar të Banesave, respektivisht për treguesit e qarkut Dibër, dhe jo sipas VKM nr. 206, datë 26.3.1998, që bën fjalë për vlerësimin e dëmeve në shtëpi në raste fatkeqësish në masën 40% dhe 50 % të dëmit të shkaktuar" thuhej më tej në deklaratë,

Sipas ministrisë së Brendshme, nga ana e Këshillit të Qarkut Dibër dhe komunave është mundësuar kalimi i fondeve në llogari bankare për familjet në masën 100% të familjeve.

"Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë familje të mbetur jashtë.

Deklaroj gjithashtu me përgjegjësi të plotë se i gjithë procesi i menaxhimit dhe trajtimit të dëmeve të tërmetit në Dibër është kryer në kushtet e transparencës së plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me organet e qeverisjes vendore.

Me këtë rast shprehim gatishmërinë t'i vëmë në dispozicion Partisë Socialiste të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me trajtimin e dëmeve të tërmetit në Dibër" përfundon deklaratën e saj ministria e Brendshme.

k.k/NOA

Â

KOMENTE