English

Barazia gjinore, Topi: Politika të mbështesë nismat e grave

 Tiranë, 28 tetor NOA-Politika ka pranuar sot se për barazinë gjinore dhe çështjet e grave flitet vetëm në fushata elektorale, ndërsa çështja e barazisë gjinore mbetet ende një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare.

Në konferencën kombëtare "Fuqizimi i gruas në Shqipëri", i organizuar nga shoqatat e grave dhe mbështetur nga USAID, presidenti i vendit Bamir Topi ka deklaruar se duhet bërë më shumë për pjesëmarrjen e grave në organet e vendimmarrjes.

"Duhet të dalim nga katedrat, duhet të lëvizim, të takojmë njerëz, duhet të njohim hallet e tyre në mënyrë dhe që projektet për zhvillim të jenë të menduara mirë", tha Topi.

Presidenti ka shprehur mbështetjen e tij në zbatimin e projekteve që do të kenë në fokus gratë dhe nevojat e tyre.

Ndërsa deputetja e PS, Valentina Leskaj e ka cilësuar legjislacionin deficitar.

Ajo ka kërkuar bashkëpunimin e gjithë aktorëve për të hartuar aktet nënligjore të cilat do të ndihmonin në zbatimin e disa prej ligjeve më të rëndësishme për gruan, si dhuna në familje apo barazia gjinore.

Pjesëmarrësit në Konference diskutuan prioritetet në lidhje me fuqizimin ekonomik të grave, shtrirjen e mundësive për arsimim dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për to, si edhe parashtruan ide për modele të suksesshëm të ndërhyrjeve strategjike në nivel komuniteti.

m.i/NOA

KOMENTE