Tiranë, 28 tetor NOA - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha mori pjesë sot në promovimin e tre botimeve të OSBE-së për çështje të policimit.
Manuali për Policinë dhe të Drejtat e të Miturve, Udhëzues për Policimin Demokratik dhe
Praktikat e mira për ndërtimin e partneritetit Polici-Publik janë tre botimet që u promovuan sot.
Ministri i BrendshëmLulzim Basha në fjalën e rastit u shpreh se këto botime nuk janë thjesht literaturë për t'u lexuar, por praktika që sigurojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe e sjellin  policinë më afër qytetarëve.
Basha vlerësoi në fjalën e tij se si rrjedhojë e zbatimit të filozofisë së policimit në komunitet, besimi i komunitetit ka ardhur në rritje dhe kjo demonstrohet nga numri gjithmonë e më i madh i telefonatave të publikut.
Kreu i dikasterit blu u kërkoi vartësve të tij të kenë kujdes kur kanë të bëjnë me të mitur duke u shprehur se praktikat diskriminuese dhe keqtrajtuese në këtë drejtim duhet të jenë pjesë e së shkuarës.
Ministri Basha garantoi se do të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për të influencuar në rritjen e bashkëpunimit të policisë me komunitetin, si dhe me përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e pushtetit vendor.
"Nuk mund të anashkalojmë faktin që policia arriti të përballojë me sukses shkurtimin e personelit të saj dhe të rrisë standardet e policimit në komunitet si dhe rezultatet në luftën kundër krimit. Ndaj ju them që të mos trembemi nga ndryshimet, por të punojmë me vendosmëri që të përshtatemi dhe të përfitojmë sa më shumë prej tyre"-u shpreh Basha.
k.k/NOA