Tiranë, 28 tetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha u kërkoi sot ministrave dixhitalizimin e të gjitha procedurave dhe ngritjen e kabineteve të IT-së në të gjitha institucionet, duke planifikuar në buxhetin e vitit 2010 të gjitha projektet e IT-së.
"Procedurat manuale apo jo dixhitale, janë të mundimshme, të kushtueshme, të ngadalta, jashtë kohe. Është e domosdoshme që, në përputhje me këtë përparësi, të ngrini në çdo ministri tuaj drejtorinë e IT-së dhe absolutisht, jo duke shtuar personelin, por duke ngushtuar dhe duke treguar se ka ardhur koha për dikasteret tuaja të kalohet në moshën dixhitale" tha Berisha.
Duke vlerësuar se vendosja  e procedurave dixhitale do të rrisë transparencën dhe cilësinë e shërbimit, kryeministri tha se "dixhitalizimi duhet të shtrihet në të gjitha aspektet duke nisur nga ndihma ekonomike, arkivi i trashëgimisë kulturore, e-learning në çdo qelizë të arsimit, zyrat e regjistrimit të pasurive, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, në sistemin gjyqësor, regjistrimi i tokave etj"
"Ne, do ta menaxhojmë këtë qeverisje në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe nuk ka interes më të madh se ai të ketë shërbime të dixhitalizuara, nuk ka interes më të madh për qytetarin shqiptar të shkojë në një sportel të vetëm dhe të marrë përgjigje për çdo gjë aty, të mos vijë aspak në dyert e ministrive, por të ketë një sportel në qytetin e tij, me të cilin ai komunikon me të gjithë qelizat e shtetit, merr çdo dokument, përgjigje a sqarim që i duhet. Nuk ka mënyrë më eficente të përdorimit të taksave të qytetarëve shqiptarë, sesa t'ia konvertojmë ato në një shërbim të tillë" tha Berisha i cili ngarkoi Ministrin e Shtetit, Genc Pollo të drejtojë këtë reformë.
k.k/NOA
Â