English

Emri, BE-ja thërret urgjentisht Gruevskin

Shkup, 28 tetor, NOA - Zyrtarët e lartë evropianë kanë ftuar për sot me urgjencë kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski për të raportuar në Bruskel lidhur me detyrimet që duhet ti përmbushë Maqedonia, lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit, para mbledhjes së Këshillit të BE-së, që do të mbahet në fillim të muajit dhjetor.

Kryeministri Gruevski do të raportojë para përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana dhe euro-komisionerit për zgjerim, Oli Rhen.

Brukseli zyrtar u detyrua që të thërrasë Gruevskin, pasi ka vërejtur ikjen nga përgjegjësia për të nisur procesin vendimtar për të mbyllur çështjen e emrit, pas dhënies së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Me këtë, Gruevski ka ndërprerë edhe vizitën e tij në Australi, ku qëndroi me delegacionin e lartë qeveritar. Në takimet e ndara midis Gruevskit dhe dy krerëve të lartë të BE-së, do të raportohet lidhur me detyrimet që duhet ti përmbush Shkupi, para muajit dhjetor, rreth zgjidhjes së kontestit të emrit, për tiu shmangur vetos greke, për dhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në.

Zyrtarët e KE-së janë të zhgënjyer nga akrobacionet politike të qeverisë së Maqedonisë lidhur me ngadalësimin dhe shmangien nga procesi i zgjidhjes së kontestit të emrit. Gjithashtu, Solana dhe Rhen pritet ti kumtojnë Gruevskit edhe rreziqet që do të pësojë vendi, në rast se nuk do të arrihet zgjidhje për çështjen e këtij kontesti të emrit.

INA-NOA

KOMENTE