English

Greqi, humb jetën në punë emigranti

Kavalla, 28 Tetor NOA - Një emigrant shqiptar i cili prej kohësh punonte në Greqi, në përpjekje për të siguruar të ardhura mbijetese për familjen e tij, ka pësuar fund tragjik.

Ngjarja i ka marrë jetën 55-vjeçarit Ramazan Kuçuku, emigrant nga Shqipëria, i cili jetonte në rajonin grek të Kavalës.

Burime policore i thanë korrespondenti të Agjencisë NOA në Greqi, se emigranti humbi jetën në orët e pasdites, në vendin e tij të punës pak para se të mbyllte orarin ditor në portin Kaliraki, në lokalitetin Thasos.

Viktima Ramazan Kuçuku, gjendej në momentin fatkeq, midis kamionit që transportonte blloqe betoni dhe vinçit që po i shkarkonte.

Sipas informacionit që dha policia, frenat e kamionit nuk ishin kapur mirë me pasojë shtypjen fatale të punëtorit shqiptar, trupi i të cilit u ngjesh midis dy mjeteve të rënda të transportit dhe shkarkimit duke i marrë jetën.

Policia e mbërritur në vendngjarje, komunikoi ndalimin e shoferit të kamionit dhe drejtuesit të vinçit, për të verifikuar përgjegjësinë e tyre dhe për të sqaruar rrethanat e vdekjes në punë si dhe nëse ishin respektuar apo jo, rregullat e sigurisë teknike.

Viktima punonte në një nga projektet publike të ndërmarra në portin e Kalirakit, nga Prefektura e Kavalës, me kontraktor privat, firmën "Magkafinis". Por njerëzit të cilët u arrestuan vetëm operatori i vinç dhe shoferi i kamionit.

Aksidente në punë, i marrin jetën çdo vit shumë shqiptarëve në Greqi, pjesa më e madhe e të cilëve të pasiguruar, duke zhytur kështu në varfëri familjet e tyre që humbin njeriun e shtrenjtë dhe burimin kryesor të të ardhurave.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE