Tiranë, 28 tetor NOA - Deklarata e Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, se po negocion për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Ismail Qemalit, është një tjetër tregues i shkallës së lartë të paaftësisë së kësaj Qeverie dhe Ministrave të saj.
Këtë vlerësim bëri sot zëdhënësja e Partisë Socialiste lidhur me deklaratën e Xhaferrit, ministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, duke folur dy ditë më parë për televizionin Ora Neës.
"Është e pafalshme për një Ministër Kulture, të mos ketë njohuritë më elementare mbi vendndodhjen e eshtrave të njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë", - vlerëson PS.
"Është edhe më e pafalshme, - vijoi Imeraj, - që një Ministër i kësaj Qeverie të gënjejë hapur opinionin publik duke thënë se po negocion personalisht me palën Italiane një marrëveshje që nuk mund të negociohet, pasi nuk mund të ekzistojë.
Sipas PS, deklarata e Ferdinand Xhaferrit është një tregues i qartë se drejtimi i Shqipërisë është në dorën e njerëzve plotësisht të paaftë për të drejtuar, por ekspertë për të mashtruar.
"Ky ministër, nuk mund të jetë kurrsesi Ministri i Kulturës i Republikës së Shqipërisë. Niveli kulturor i Z. Xhaferri tregon se ai nuk mund të drejtojë këtë institucion dhe nuk mund të përfaqësojë vlerat kulturore dhe historike të Shqipërisë", - përfundon deklarata e Imerajt.
e.r/NOA