Tiranë, 28 tetor, NOA - Një ngjarje jo vetëm e papëlqyeshme, por edhe mjaft tronditëse, e cila tregon në të vërtetë fakte nga jeta reale që përjeton gruaja në vendin tonë, me dramacitetet dhe problematikat e veta.
Kështu e ka vlerësuar presidenti Bamit Topi ngjarjen e Maqellarës së Dibrës, ku dy motra prej 22 vitesh jetonin të lidhura me zinxhirë nga babai i tyre.
"Ngjarja në Maqelllarë, është një përgjegjësi për qeverinë, për presidentin, për të gjithë", tha ai.
Duke shtuar më pas se dimensioni i gruas duhet të dalë përtej Tiranës dhe të shtrihet në çdo cep të vendit duke kërkuar me çdo kusht emancipimin dhe fuqizimin e rolit të saj në shoqërinë shqiptare.
"Historia e dy motrave që prej mëse 22 vitesh kanë qëndruar të lidhura nën zinxhirë, të konsideruara si të rrezikshme për komunitetin prej babait të tyre, është e papranueshme", tha Topi, duke e dënuar atë.
Fjala është për historinë tragjike të dy vajzave në familjen Keshi të Maqellarës së Dibrës, të cilat të konsideruara si të sëmura mendore, mbaheshin të lidhura për vite me radhë.
Rasti duket i njohur pas atij që u përmend pak ditë më parë me një djalë 26-vjeçar që mbahej i lidhur në një fshat të Fierit, edhe ky i konsideruar si i rrezikshëm për shoqërinë.
n.e/NOA