Tiranë, 28 Tetor, NOA - Aktivistët për të drejtat e grave, punonjës të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe gra nga biznesi, u mblodhën sot në një konference kombëtare në Tiranë me temën "Fuqizimi i Grave në Shqipëri: Një strategji për Zhvillim Gjithëpërfshirës".
E mbështetur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) dhe e organizuar nga shoqata e grave "Refleksione", konferenca kishte në qendër të saj diskutimet mbi strategjitë për transformimin e ligjeve dhe dokumentave në veprime konkrete prej të cilave mund të përfitojnë gratë dhe vajzat e gjithë Shqipërisë për të dhënë kontributin e tyre për një shoqëri më të mirë.
"Dhuna në familje, papunësia e lartë dhe mungesa e përfaqësimit të grave në politikë dhe pozicione të tjera të vendimmarrjes, janë të gjitha çështje, të cilat duhet te trajtohen në Shqipëri", tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney.
Sipas saj, konferenca e sotme u jep mundësinë drejtuesve dhe vendimmarrësve për të formuluar veprime dhe programe konkrete, që aftësojnë gratë për një rol më të rëndësishëm ne shoqërinë shqiptare.
Ndërkohë që ajo përmendi edhe faktin se Shqipëria ka ndërmarre hapa të mëdhenj drejt adoptimit të kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, inkurajoi qeverinë të përkushtojë më shume burime njerëzore dhe financiare në mbështetje të programeve dhe institucioneve për gratë.
Pjesëmarrësit në Konference diskutuan prioritetet në lidhje me fuqizimin ekonomik të grave, shtrirjen e mundësive per arsimim dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për to, si edhe parashtruan ide për modele të suksesshëm të ndërhyrjeve strategjike në nivel komuniteti.
n.e/NOA