Tiranë, 29 tetor NOA - Kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në Bruksel për një vizitë një ditore për të marrë pjesë në takimin e PPE, ka zhvilluar sot një takim me Kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov.
Berisha dhe Bullgar Borisov vlerësuan  marrëdhëniet shumë të mira midis dy qeverive dhe dy vendeve, të cilat bazohen në një mirëkuptim tradicional midis dy popujve.
Kryeministri Borisov e uroi përzemërsisht Berishën për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe rikonfirmimin në detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Borisov e siguroi Kryeministrin Berisha për përkrahjen e plotë dhe mbështetjen e fuqishme të Bullgarisë për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave.
"Në takim u rikonfirmua angazhimi dhe vendosmëria e të dy qeverive për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët në veçanti në fushën ekonomike dhe në inkurajimin e investitorëve bullgarë për të investuar në Shqipëri dhe për të shfrytëzuar me sukses potencialet që vendi ynë ofron", - bënë të ditur për agjencinë NOA, burime pranë kryeministrit në Bruksel.Â
Gjithashtu të dy kryeministrat shprehën vendosmërinë dhe angazhimin për të punuar së bashku për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit si dhe bashkëpunimit t gjithanshëm e të frytshëm në rajon në kuadër të nismave rajonale dhe vizionit të përbashkët të integrimit në BE për vendet e Ballkanit si dhe forcimin e mëtejshëm të stabilitetit dhe sigurisë në Rajon.
Në takim u ra dakord për intensifikimin e shkëmbimeve të vizitave të nivelit më të lartë midis dy vendeve dhe në këtë kontekst Kryeministri Borisov e pranoi me kënaqësi ftesën e Berishës për një vizitë të shpejtë në Tiranë.
e.r/NOA