Prishtinë, 29 tetor NOA-Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, do të vizitojë të dielën kryeqytetin e Kosovës, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të tij, në sheshin që mban emrin e tij në kryeqytet.
Mediat kosovare citojnë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se mikut amerikan do t'i bëhet pritje madhështore.
Thaçi e quajti Klintonin njeri i madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, ndërkohë ai ka ftuar qytetarët që të dielën të jenë në Sheshin "Bill Klinton". Kryeministri Thaçi, në emër të qeverisë falënderoi të gjitha qeveritë e SHBA-ve për përkrahjen e madhe dhënë popullit kosovar.
Gjatë vizitës në Kosovë, ish-presidenti Klinton do t'i drejtohet me një mesazh edhe qytetarëve të Republikës. Vizita e tij në Kosovë, siç tha kryeministri Thaçi, është e para në Kosovën e pavarur, por jo e para në Kosovën e lirë.
Për nder të tij, qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë kanë pagëzuar fëmijët e tyre me këtë emër, madje edhe disa organizata mbajnë emrin e tij.
Gjithashtu një shesh në Prishtinë është emërtuar "Bill Klinton".
Aty, së fundi është vendosur edhe shtatorja e Klintonit, e gjatë rreth tri metra.
m.i/NOA