English

Konfindustria pro uljes së interesit 0.5%

Tiranë, 29 tetor, NOA - Konfindustria me anë të një deklarate për shtyp, pohon se mbështet në parim vendimin e Bankës Qendrore për uljen e normës bazë të interesit me 0.5% për të kaluar në 5.25%, megjithëse e vlerëson krahasimisht të vonuar në kohë.

"Konfindustria kërkon marrjen e veprimeve shoqëruese të nevojshme, me qëllim që të kemi përcjellje të rrjedhojave të vendimit në lehtësimin e prekshëm të kredidhënies për biznesin dhe qytetarët", thuhet më tej në këtë deklaratë.

Duke shtuar faktin se njëkohësisht Banka e Shqipërisë, por edhe institucionet shtetërore financiare duhet t'i kushtojnë rëndësi parësore edhe shmangies të rrjedhojave negative, që mund të vijnë nga vendimi për uljen e normës bazë të interesit.

Si pasoja negative, Konfindustria përmend zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare nga veprimet spekulative me motiv psikologjik në tregun e parase si dhe nga ndërhyrjet e gabuara dhe të panevojshme të politikes ndaj vlerës së monedhës kombëtare. Si edhe keqësimin e mëtejshëm të cilësisë së portofolit të kredive, që edhe në kushtet e tashme ku mbi 16 % zënë kreditë e këqija, është rrezik i prekshëm për stabilitetin e sistemit bankar në vend.

"Konfindustria vlerëson, se shenjat e përmirësimit të ekonomisë botërore dhe qëndrueshmëria relative e sistemit bankar dhe ekonomisë shqiptare, përligjin në thelb uljen e normës bazë të interesit", thuhet në fund të kësaj deklarate lëshuar nga Konfindustria.

n.e/NOA

KOMENTE