Tiranë, 29 tetor NOA - Lëvizja Mjaft ka organizuar sot një proteste kundër marrëveshjes së ujërave me Greqinë.
Anëtarët e kësaj lëvizjeje kanë zgjedhur monumentin e Skënderbeut në qendër të Tiranës për të protestuar.
"Ndodhemi para këtij monumenti, simbol i qëndresës dhe unitetit të popullit shqiptar, për të vënë theksin te rreziku që i kanoset territoreve shqiptare nga paaftësia e qeverisë për të qëndruar si të barabartë në një marrëveshje që prek interesat e mbarë kombit. Një qeveri e paaftë për të vënë në plan të parë interesat e shqiptarëve dhe të mirëqenies së tyre, por që ka treguar aftësi në përmbushjen e interesave të fqinjëve tanë.
Lëvizja Mjaft! shpreh indinjatën ndaj marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për ndryshimin e kufijve ujorë" deklaruan sot gjatë protestës anëtarët e lëvizjes Mjaft.
"Dukshëm Shqipëria në këtë marrëveshje ka negociuar nga pozita e më të dobëtit dhe nuk ka kërkuar diçka të qenësishme në këmbim. Por edhe nëse diçka është kërkuar, përsëri publiku mbetet në errësirë të çdo detaji shtesë të bisedimeve.
Ne theksojmë se në këtë pikë është detyrë e qeverisë shqiptare të publikojë marrëveshjen e plotë me të gjitha anekset përkatëse dhe ta vërë këtë informacion në dispozicion të publikut.
Përndryshe, ne sikurse dhe çdo shqiptar, kemi detyrën të shqetësohemi dhe të besojmë se me kufijtë territorialë apo me premisat e zhvillimit të vendit, është luajtur një dramë, efektet e së cilës do t'i vuajnë brezat që vijnë.
Frika e madhe e të gjithëve ne, në këto ditë, është se fqinjëve tanë u është dhuruar një pasuri e pazëvendësueshme e Shqipërisë, jo thjesht në kontekstin territorial, por mbi të gjitha në nivel të besimit të tradhtuar të shqiptarëve.
Të tradhtuar nga qeveria e tyre, e cila duhej t'i përfaqësonte dhe t'u mbronte interesat" deklaruan me tej aktivistët e lëvizjes Mjaft.
k.k/NOA