English

Shpëtim Idrizi betohet në Kuvend: Do mbroj çështjen çame

LAJMI RITRANSMETOHET ME FOTO Tiranë, 29 tetor NOA - Sikurse kishte paralajmëruar, ish socialisti, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, u betua sot si deputet i Qarkut të Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas betimit, Idrizi mbajti një fjalim ku sqaroi rolin që do të luajë PDU, si partia e katërt më e madhe parlamentare, në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

Ai theksoi pikat kryesore të programit të PDU-së, që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare dhe emigrantët.

"Bashkë me kolegun tim Dashamir Tahiri, jam në parlament si përfaqësues i një partie të re, Partisë për Drejtësi dhe Unitet, partia e katërt parlamentare, që ka në boshtin e vet zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Pas një turi takimesh dhe konsultimesh nëpër Shqipëri, ku morem bekimin për këtë inisiativë të re politike, jam këtu sot për t'i dhënë asaj dhe një zë parlamentar. Për t'a futur atë në kanalet institucionale të diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve me natyrë kombëtare", u shpreh deputeti Idrizi.

Sipas tij, PDU do të kontraktojë një kompani britanike për të hartuar një studim fizibiliteti për mënyrën se si mund të zgjidhet ligjërisht çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi.

Kreu i PDU, i bëri thirrje deputetëve të opozitës të gjejnë kompromisin e të kthehen në kuvend për të mbrojtur të drejtat e elektoratit që i ka dhënë votën.

" Le të fillojnë këto kontakte jashtë parlamentit për të negociuar zgjidhje të pranueshme për të gjithë, pra për të ushtruar pa u lodhur dhe me besim këtë art të vjetër të politikës-negociatën.

Negociatë do të thotë se askush nuk ka të drejtë paraprakisht dhe se të gjithë palët duhet të lëshojnë nga pozicionet paraprake, që i kanë tani", tha në fjalën e tij kreu i i Partisë për Drejtësi dhe Unitet.

KOMENTE