English

Bruksel, Berisha: Bojkoti i PS-së në një moment të papërshtatshëm

Tiranë, 30 tetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë dje në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane (EPP), që u zhvillua në Bruksel.

"Ky ishte një Samit i mrekullueshëm, në të cilin u diskutua gjerësisht për Samitin e Kopenhagenit dhe për Traktatin e Lisbonës.

Në këtë Samit, unë pata rastin të takohesha dhe të bisedoja me shumicën dërmuese të të pranishmëve. Interesi im më i madh ishte që të takohesha dhe të bisedoja me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila më premtoi se problemi teknik për konstituimin e Parlamentit gjerman do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur" tha Berisha për mediat pas samitit.

Ndërkohë Berisha nga Brukseli ka folur edhe për bojkotin e opozitës duke u shprehur se bojkoti është në një moment shumë të papërshtatshëm për vetë pamjen e vendit, por duke qenë një akt pa asnjë arsye ligjore nuk mund të bllokojë proceset që janë të një rëndësie kapitale për vendin.

"Natyrisht, shpresojmë që ftesat e përsëritura të mia ndaj opozitës të shqyrtohen seriozisht dhe ai të pranojë që partia e tij të vazhdojë bashkëpunimin në interesin më të mirë të forcave tona politike, por edhe në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë" u shpreh Berisha.

Gjithashtu Berisha u shpreh edhe për liberalizimin e vizave duke thënë se vizat janë në një proces ecurie normale.

"Premtimi imi është për liberalizimin e tyre në vitin e parë të këtij mandati dhe ne po plotësojmë kërkesat. Unë nuk shoh asnjë lloj problemi përveç faktit që ne duhet të plotësojmë me seriozitetin më të madh çdo kërkesë që shtrohen nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave" tha kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE