English

Dhjetë vjet "Marie Kraja", vigjilje e Festivalit Ndërkombëtar të Vokalit Operistik

Tiranë, 30 Tetor NOA - Fillimi i nëntorit shënon një përvjetor të veçantë për muzikën operistike shqiptare. Mbushen dhjetë vjet që Tirana në sezonin vjeshtor shndërrohet në arenën e madhe ndërkombëtare të konkursit të zërit vokal.

Thënë ndryshe janë datat që përkojnë me edicionin e radhës së Festivalit Ndërkombëtar "Marie Kraja". Artistë të rinj nga të pesë kontinentet pritet të mblidhen fillimjavën e ardhshme në Tiranë për të zbritur në skenën shqiptare, në konkursin që mban emrin e artistes së madhe.

Është shënuar kështu starti i festivali të ngjizur dhjetë vjet më parë nga producentja Zana Çela.

Puna seleksionuese që ka nisur në fillim të tetorit ka përfunduar dhe tashmë janë zgjedhur 20 konkurrentët që pritet të prezantohen në Tiranë në dy netët e festivalit, më 7 dhe 8 nëntor.

Juria përzgjedhëse e përbërë nga Zana Çela, Burhan Spahiu, Suzana Frashëri, Shqipe Mingomataj, Shqipe Zani dhe Xhovana Dako kanë studiuar për ditë me radhë plot 92 kandidatura të mbërritura nga të gjitha vendet e botës, me kërkesën për t'u prezantuar në festivalin shqiptar.

Më 12 tetor artistët e njohur kanë përzgjedhur konkurrentët shqiptarë. Nga dhjetëra kërkesa kanë fituar të drejtën për të konkurruar gjashtë artistë të rinj nga Shqipëria dhe dy nga Kosova.

Pak ditë më vonë, më 18 tetor juria përzgjedhëse ka bërë seleksionimin e kandidatëve të huaj.

Në pritje për të kënduar në skenën shqiptare janë 12 emra të huaj, artistë të rinj, por me cv të pasura që kërkojnë një çmim të madh, i cili çdo vit jepet në Tiranë.

Kështu harta e shtrirjes së këtij viti të festivalit "Marie Kraja", - tek e fundit siç ka ndodhur çdo vit, -Â është e gjerë.

Pjesëmarrësit janë Bullgaria, Austria, Italia, Ukrahina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania, Greqia, Spanja, Holanda etj. Ndërsa shteti i Kosovës do të ketë dy konkurrentë.Â

Edhe ketë vit struktura e festivalit do ti qëndrojë besnike traditës që ka krijuar nder vite. Mbrëmjen e 7 nëntorit në skenën e Akademisë së Arteve do të ngjiten të 20 konkurrentët, performanca e të cilëve do të transmetohet direkt në ekranin e TVSH-së.

Gjatë këtij prezantimi juria ndërkombëtare (gjithashtu traditë e këtij festivali), e përbërë nga personalitete të operave më të mëdha të botës do të përzgjedhin dhjetë finalistët, të cilët mbrëmjen e 8 nëntorit do të konkurrojnë për çmimet e mëdha të festivalit "Marie Kraja". Një nga surprizat e mëdha të këtij viti jubile për këtë festival është vetë juria e tij, emrat pjesëmarrës që do të vizitojnë Shqipërinë.

Kështu përveç të mirënjohurit, Nicholas Payne, President i Opera Europa, i cili ka qenë i përhershëm në juri, këtë vit do të jetë edhe Luca Targetti, Drejtor Artistik i Teatrit "La Scala" të Milanos.

Të tjerë personalitete që do të votojnë për më të mirin e "Marie Krajës" janë edhe Joan Matabosch - Drejtor Artistik i Teatrit të Barcelonës (SPANJE), Hein Mulers - Drejtor Artistik i Teatrit të Operas se Amsterdamit (HOLLANDE), Giovanna Lomazzi - ZvPresidente e Aslico, (ITALI), Nancy Rhodes - Presidente e Encompass Neë Opera, Neë York (SHBA), Danusa Luknisova - Presidente e Agjensise Dankart, Baki Jashari - Drejtor i Teatrit te Operas Prishtine (KOSOVE), Andreas Tselikas - Dirigjent ne Teatrin e Operas Athine (GREQI) dhe shqiptari mirënjohur Burhan Spahiu - Pedagog ne Akademinë e Arteve Tiranë.

Konkurrentët janë përzgjedhur tashmë. Këto ditë organizatorët e drejtuar nga producentja Zana Çela, e cila në të njëjtën kohë është edhe prezantuesja e festivalit po punojnë me detajet e tjera të këtij evenimenti të madh të muzikës klasike. Një skenografi madhështore po përgatitet në skenën e Akademisë së Arteve.

Ndërsa të martën të gjithë konkurrentët do të mbërrijnë në Tiranë për ti hyrës garës që këtë vit shënon vitin e dhjetë të jetës.

Një garë që nisi si sfidë, si një eveniment për tu dhënë mundësi artistëve të rinj shqiptarë e që tashmë është kthyer në një traditë, e regjistruar në axhendën botërore të evenimenteve të vokalit operistik.Â

a.c/e.r/NOA

KOMENTE