Tiranë, 30 Tetor NOA - Kompania AMC, operatori i parë në vend i telefonisë së lëvizshme, sjell një risi në treg, pika shitjesh dhe asistence të lëvizshme.
Për herë të parë në Shqipëri ajo u ofron qytetarëve edhe dyqane të lëvizshme. Dyqanet e lëvizshëm mund të ofrojnë të njëjtën gamë shërbimesh si dyqanet e tjera AMC në vend. Abonentët mund të blejnë në to ALBAKARTA, AMCKARTA, What's Up dhe paketa të tjera ekskluzive AMC të komunikimit me parapagesë.
Përveç këtyre, mund të blejnë karta rimbushëse, mund të rimbushin numrin me AMC Fleksi dhe të informohen për tarifat e programeve me kontratë të AMC.
Kompania vë në dukje faktin se është gjithmonë pranë qytetarëve, pavarësisht vështirësive gjeografike apo kohore dhe se mbulimi me sinjal AMC është më i miri në vend, ndërsa rrjeti i dyqaneve AMC është më i madhi.
Për ta bërë sa më të prekshme telefoninë celulare AMC sjell edhe dyqanet e lëvizshëm që përshkojnë rrugët e vendit, duke u dhënë përparësi zonave të veçuara.
"Këto dyqane mund të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë ditës, në përputhje me nevojat e konsumatorëve në zonën ku ndodhen. Projekti, megjithëse është në fazën fillestare, është shtrirë në një hapësirë të gjerë. Vitin e ardhshëm pritet të qarkullojnë më shumë dyqane të lëvizshëm AMC në vend, të cilët do t'u shërbejnë një numri më të madh qytetarësh", - vë në dukje kompania.
Koncepti i ri i dyqaneve të lëvizshëm dhe rrjeti AMC prej 170 dyqanesh ekzistuese, më i madhi në vend, konfirmojnë sërish politikën e kompanisë për ta bërë telefoninë celulare të përballueshme dhe të aksesueshme nga të gjithë.
f.sh/NOA