English

Ngjela kërcënon në Lushnje: Kutitë do t'i hapim me forcë

Lushnjë, 30 Tetor NOA - Kutitë e votimit që nga opozita aludohen të mbajnë vota të panumëruara, do të hapen me çdo kusht më datë 20 nëntor.

Këtë paralajmërim ka bërë sonte në një miting të forcave opozitare në Lushnje, Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Ai theksoi se 65 deputetët e PS që kanë marrë nismën për të bojkotuar këtë parlament ilegjitim do të hyjnë në histori si nismëtarët për të shkallmuar një tirani të gjatë".

Kurse premtoi se më 20 nëntor do t'i hapin vetë kutitë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe iu drejtua kryeministrit Sali Berisha:

"Hapi kutitë, do t'i themi më datë 20 nëntor. Në datë 20 nëntor, në daç t'i hapi dhe në daç mos i hapi, ne do t'i hapim vetë", ishte deklarimi anarkik i shprehur sonte nga Ngjela.

"Më 20 nëntor, bashkohen në datën 20 dhe për t'i thënë perëndimit se personaliteti i tyre i nëpërkëmbur nuk është ai që ka qenë më parë". - theksoi Ngjela.

Kreu i PLD theksoi se në kutitë e pahapura të 28 qershorit është mbërthyer kriza e vendit dhe opozita bashkë me qytetarët janë dhe do të jenë në shesh për të shkallmuar pushtetin e paligjshëm.

"Parlamenti nuk ka as një të qindin e potencës që ka kjo tribunë dhe ju jeni zëri i popullit. Në rast se ky parlament ilegjitim do të kishte marrë vulën e opozitës, largësia e popullit me politikën do të ishte kaq e madhe sa nuk do të besonim më kurrë në demokraci".

Ngjela tha se përmes kësaj proteste të përshkallëzuar, shqiptarët do t'i thonë Perëndimit se personaliteti ynë i nëpërkëmbur nuk është ai që ishte para datës 20.

"Të jemi të bashkuar për t'i dhënë Shqipërisë guxim që të jetojmë si në tokën tonë dhe jo si të ardhur, sepse këto tokë na ka dhënë zoti për të jetuar dhe ne do të jetojmë me dinjitet", - ka përfunduar Ngjela, i njohur për deklaratat e tij revanshiste.

e.r/NOA

KOMENTE