Tiranë, 30 Tetor NOA - Një frymë e re bashkëpunimi në marrëdhëniet MTKRS - Komiteti Olimpik Shqiptar pas përplasjeve të shumta dhe deri bllokimit disa herë të veprimtarive sportive shqiptare nga konfliktet shtet-organizata sportive në vendin tonë.
Ky ishte angazhimi i përbashkët mes Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Dr. Jacque Rogge.
Xhaferri ishte sot në Lozanë të Zvicrës me ftesë të z.Rogge dhe vizioi gjithashtu mjediset e selisë së Komitetit, ku ishin të ftuar dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar Agim Fagu dhe Sekretari i Përgjithshëm, Stavri Bello.
Në takim ndodhej dhe Pere Miro, drejtor për marrëdhëniet me Komitetet Olimpike Kombëtare në KON.
Presidenti Jacque Rogge vlerësoi pranimin e ftesës nga ana e Ministrit Shqiptar të Sportit si dhe realizimin e vizitës se tij në Lozanë në një kohë shumë të shpejtë, çka sipas tij dëshmon edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin e mirë të qeverisë shqiptare për të vendosur ura bashkëpunimi dhe mbështetjeje për lëvizjen olimpike dhe sportive shqiptare dhe strukturat drejtuese të saj.
Në diskutimet mbi zhvillimet e kohëve të fundit në lëvizjen olimpike dhe sportive shqiptare, Ministri Xhaferri i siguroi drejtuesit e lartë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për predispozitën e shtetit shqiptar për ofrimin e zgjidhjeve më optimale në frymën e paqes dhe solidaritetit olimpik, duke vënë në plan të parë interesin dhe përfitimin e sportit dhe sportistëve shqiptarë dhe imazhin e tyre në arenën ndërkombëtare.
Xhaferri i bëri prezent zotit Rogge ambiciet e qeverise shqiptare për dixhitalizimin e lëvizjes olimpike dhe sportive shqiptare dhe mori nga ata sigurinë për një mbështetje të tillë dhe ofrimin sa më të shpejtë të programeve dixhitalizuese.
Ministri Ferdinand Xhaferri i shprehu falënderimin z. Rogge dhe Miro për mbështetjen që i kanë dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës, Lëvizjes Olimpike Kosovare dhe përpjekjet për integrimin e saj në lëvizjen olimpike mbarëbotërore.
a.r/f.sh/NOA