English

Prezenca e OSBE flet për alternativat e dënimit me burgim

Shkodër, 30 tetor - Një seminar me gjyqtarë e prokurorë për përdorimin e alternativave të dënimit me burgim përfundoi sot në Shkodër, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe UNCEF-in.

Kursi trajnues u bë pas ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat parashikojnë më shumë alternativa të dënimit me burgim dhe pas ngritjes së institucionit që mbikëqyr zbatimin e këtyre dënimeve.

Duke folur sot nga zyra e tij, Kreu i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Robert Bosch, tha: "Shërbimi i provës është një hap pozitiv që do të ulë mbipopullimin e burgjeve. Burgimi i panevojshëm duhet të shmanget, pasi ka kosto të lartë financiare dhe sociale. Seminari synoi t'i bënte praktikat e dënimit më efikase dhe uniforme, si dhe të qartësonte për gjyqtarët dhe prokurorët ndryshimet në ligj".

Seminari u përqendrua në mënyrën e funksionimit të shërbimit të provës dhe në bashkëpunimin mes gjyqtarëve e prokurorëve me punonjësit e shërbimit të provës.

Një gjyqtar dhe një punonjës i shërbimit të provës nga Gjermania paraqitën praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, si modele të mundshme për Shqipërinë.

Një seminar i ngjashëm u zhvillua më herët në Tiranë dhe seminare të tjerë do të mbahen muajin e ardhshëm në qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës.

Seminaret janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të organizatave ndërkombëtare për t'i ofruar ndihmë teknike reformës gjyqësore në Shqipëri.

Pjesë e këtyre përpjekjeve ka qenë edhe mbështetja që i është dhënë Ministrisë së Drejtësisë në ngritjen e shërbimit të provës, përfshirë ndihmën në hartimin e legjislacionit, mbështetja për trajnuesit dhe punonjësit e shërbimit të provës, si dhe përgatitja e një manuali për këta të fundit.

r.d/f.sh/NOA

KOMENTE