Beograd, 31 tetor NOA-SHBA-ja ka përgatitur një plan, bashkë me Greqinë, që të mundësojë hyrjen në Bashkimin Evropian (BE) të Ballkanit Perëndimor, më 2014, në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore.
Gazeta serbe e përditshme "Danas" citon kryeministrin grek George Papandreu sipas së cilit, rajoni ka humbur orientimin dhe për këtë atij i duhet dhënë një dinamikë e re.
"Kjo duhet bërë pa ulur standardet që duhen plotësuar, por duke reduktuar burokracitë, me qëllimin përfundimtar përfshirjen e Ballkanit në BE, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore", ka deklaruar kryeministri grek.
Sipas gazetës, SHBA-ja ka një plan të quajtur Hartë Rruge, që është paraqitur nga Athina, ku thuhet se gjithë Ballkani perëndimor duhet të hyjë në BE në vitin 2014, edhe pse kjo datë duket shumë e pamundur nga këndvështrimi i liderëve aktualë të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Por Danas thekson se SHBA ka gjetur tek Greqia një aleat të fortë për ta mbyllur kapitullin e dhunshëm të Ballkanit dhe për ta integruar përfundimisht.
Arsyeja pse SHBA është përfshirë në përgatitjen e një plani të tillë është se Uashingtoni e sheh hyrjen e Ballkanit në BE si zgjidhjen më të mirë për gjithë problemet rajonale.
Sipas ish-ministres së Jashtme të Serbisë, Aleksandra Joksimoviq, kjo ide fillimisht ka ardhur nga vetë vendet e vogla të BE, ndaj shihet mundësia e një përplasjeje me vendet e mëdha të BE për të pranuar Ballkanin kaq shpejt.
Ka zëra në BE se zgjerimi i afërt do të vazhdojë me Islandën dhe Kroacinë në 2012 dhe më pas të ngrijë për një farë kohe. Sidoqoftë, SHBA do të ushtrojë presionin e vet që Ballkani Perëndimor të hyjë si i tërë në BE në vitin 2014, përfundon gazeta.
Â